Me një vit vonesë, nis sot europiani i futbollit Euro 2020: ndeshja që e inauguron është ajo mes Italisë dhe Turqisë në stadiumin “Olimpico” të Romës. Por COVID është ende aty që hedh hije mbi këtë turne. Ngjarja futbollistike kontinentale, për herë të parë nuk mbahet në një apo dy vende, por ka një itinerar që shëtit në të gjithë Europën. Në 11-të vende të ndryshme: Romë, Baku, Kopenhagen, Shën Petërburg, Londër, Glasgou, Amsterdam, Bukuresht, Sevilia, Mynih dhe Budapest. Ndeshjet do të luhen në stadiume të hapura, me tifozë të pranishëm, dhe pse në një numër të kufizuar, dhe me masa të ashpra shëndetësore. Në stadiumin “Olimpico” të Romës do të jenë rreth 16 mijë tifozët e Italisë dhe Turqisë. Shteti italian nuk lejon tifozët turq që vijnë nga Turqia, por jo nga shtete të tjera të Europës.

“Ndihem i emocionuar! Më në fund po rikthehen këto evente, dhe njerëzit po dalin sërish. Rifillon jeta dhe të gjithë kanë dëshirë të bëjnë diçka. Më në fund kemi shpresën se mund të dalim nga ky makth“, deklaron një tifoz i kaltër. Një koment jep edhe një fans i Turqisë, i cili ka ardhur nga Holanda për të ndjekur skuadrën e zemrës në kryeqytetin italian.

“Tifozët nuk mund të vinë nga Turqia në Itali, por ne jetojmë në Holandë dhe kemi udhëtuar 1500 kilometra për të mbështetur kombëtaren tonë këtu në Romë. Ia vlen çdo gjë“. Janë të shumtë tifozët që udhëtojnë nga e gjithë Europa për dhjetë pikëtakime të ndryshme.

Euro 2020 që nuk e ka ndryshuar emrin në 2021 – për arsye marketingu – do të jetë një provë e rëndësishme për sigurinë e autoriteteve europiane.

Policia europiane, së bashku me Europol, ka një qendër operative në Hagë, për të gjitha forcat e rendit, dhe pse në këtë situatë jo të zakontë, do të ketë më pak tifozë dhe incidente të mundshme mes tifozerive. Policitë e 24 vendeve që luajnë në këtë kampionat do të kalojnë 30 ditët e ardhshme duke monitoruar rreziqet e mundshme – dhe përhapjen e COVID – nga salla e kontrollit në qendrën operative në Hagë. Finalja e madhe është më 11 korrik në Londër.