Mbështetja financiare dhe lehtësitë fiskale po nxisin fermerët drejt investimeve në ngritjen e serrave të reja bujqësore që sigurojnë prodhimin gjithëvjetor.
Në një prononcim për ATSH-në zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimo Kote u shpreh se “çdo vit rritet me 100 ha sipërfaqet e mbjella me serra në vendin tonë”.
“Bizneset e serrave për kultivimin masiv të perimeve, vitet e fundit edhe për frutat përbëjnë rreth 40% të aseteve bujqësore të mbuluara në vendin tonë. Ndërkohë që Shqipëria konkurron fuqishëm me eksportet e produkteve bujqësore në serra, tani me ardhjen e sezonit të pranverës dhe afrimin e pikut të prodhimit”- tha Kote për ATSH-në.
Në këto vitet e fundit eksportet bujqësore “Made in Albania” janë dyfishuar, ndërsa të ardhurat nga eksportet kanë prekur shifrën treshifrore gjatë vitit të kaluar.
“Mbi 80% e prodhimit bujqësor në serra eksportohet në tregjet e huaja, kryesisht në vendet e BE-së, ku dhe kërkesa sa vjen e rritet. Ndërsa është rritur në 85 shtete tregu i eksporteve nga 75 që ishte dy vite më parë”- deklaroi Kote.
Është shtuar interesi i shteteve si Rumania, Bullgaria, Republika Çeke, Ukraina, Gjermania e Suedia, për prodhimet bujqësore “Made in Albania”.
Qeveria ka rritur mbështetjen e fermerëve për zgjerimin e sipërfaqeve të mbjella me serra, si një potencial i madh i Shqipërisë në rritjen disa herë të prodhimit dhe eksporteve të produkteve bujqësore, duke qenë të favorizuar fuqimisht nga klima e vendit, krahu i punës dhe kërkesa e tregut europian e vendas për prodhime gjithnjë e më cilësore “Made in Albania”.
Përmes Skemës Kombëtare qeveria financon 50 % të kostos për zëvendësimin e plastmasit në serra, zero taksa për inputet bujqësore dhe naftë falas, janë disa nga hallkat e zinxhir të mbështetjes, krahas financimit me deri 60 % të investimit nga programin IPARD, për ndërtimin e serave të reja me standarde sipas BE-së.
Zv. ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri të ditur për ATSH-në se, sipërfaqja me serra bujqësore nga 1700 hektarë aktualisht synon të zgjerohet në 6000 ha në tre vitet në vijim”.