Analisti Frrok Çupi ka komentuar zhvillimet në PD gjatë fundjavës, teksa demokratët zgjodhën që Lulzim Basha të vijojë të drejtojë Partinë Demokratike. Berisha ka lënë të hapur rikthimin e mundshëm në krye të PD duke thënë se është konsistent në qëndrimet e tij për kryetarin e Partisë Demokratike. Kur gazetarët e kanë pyetur kë do mbështesësh, me nënqeshje ironike tha se “Bota është më shumë se e fshehtë, ç’kuptim ka që ta tregoj.” Sa i përket vendimit të SHBA për të shpallur “non grata” Berishën dhe reagimit të ish kryeministrit për ta çuar çështjen në Gjykatën e Parisit, analisti Frrok Çupi tha në “Top Talk” se do të marrë edhe Bashën para drejtësisë.

Çupi: Partia Socialiste po tregon shenjat e një emancipimi shumë të lartë. Berisha po luan një skemë të tërë, është një arenë e tërë kur lëviz nga njëri cep në tjetrin. Partia Demokratike udhëhiqet nga Berisha. Në vend që PD të kishte një gen demokratik, të kishte një ADN demokratike, po të bëni ADN e Berishës dhe atë të PD është e njëjta gjë. Domethënë po ta thërrasësh për një krim të ndodhur, e zëmë që PD është person dhe hetimi të thërrasë Berishën, është e njëjta ADN. Merr një qime nga PD dhe një qime floku nga Berisha, është e njëjta. Basha e kontrollon PD përmes Berishës. Nëse nuk do ishte Berisha, do ishte Basha. Berisha po flet për një rikthim me një qëllim që lidhet me Bashën për të kërcënuar të tjerët që nëse nuk zgjidhni Bashën, do kthehem aty.

Dyrnjaja: Po tezat që po kthehet për të mbrojtur veten në konfliktin me SHBA?

Çupi: Kjo është një çështje tjetër. Në fund fundit, Berisha nuk po i bën nder Bashës sepse po e merr me vete. Berisha është duke ikur. E pamundur që të ndahet nga Basha, jo vetëm për arsye gjenetike politike, por sepse fajet e Berishës për të cilat akuzohet rëndë nga SHBA, në segmentet e pas viteve 2005 ose 1999 janë së bashku me Berishën. Ki parasysh rolin e Bashës në Kosovë, bashkëpunimi me serbët dhe kundër UÇK-së.