Ministrat e Shëndetësisë nga e gjithë bota kanë rënë dakord në lidhje me nevojën e bashkëpunimit për zhvillimin e njohjes reciproke të testimit dhe certifikatave të vaksinimit globalisht.
Marrëveshja u arrit për të ashtuquajturat pasaporta të vaksinave pas një takimi në Oksford të ministrave të Shëndetësisë nga vendet e G7-s.
Pas samitit dyditor, politikanët arritën në përfundimin se ata duhet të punojnë së bashku për të zhvilluar standardet ndërkombëtare dhe praktikat e rekomanduara “për krijimin, përdorimin dhe njohjen e ndërsjellë të certifikatave të testimit dhe vaksinimit në të gjithë vendet që mbështeten në vaksina të sigurta, efektive dhe të rishikuara në mënyrë rigoroze”.
Dokumentet e lëshuara pas takimit thanë: “Ne jemi të përkushtuar të punojmë si vende të G7 drejt një procesi të pranimit të ndërsjellë të certifikatave COVID-19”.
Ministrat e shëndetësisë nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe SHBA-ja ranë gjithashtu dakord mbi një statut të ri, që shpresohet të sjellë prova të standardizuara dhe të dhëna nga provat ndërkombëtare, në një përpjekje për të shpejtuar hyrjen në trajtimet e miratuara dhe vaksinat, si edhe standardet minimale të dakorduara të të dhënave shëndetësore që mund të ndahen ndërkombëtarisht.