Liqeni i Farkës në kryeqytet është shndërruar ditën e sotme në një arenë të vërtetë garash sportive. Dhjetëra të pasionuar pas notit, çiklizmit dhe sporteve janë bërë pjesë e Tiranathlone, një aktivitet i rëndësishëm i tregarëshit, i organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe Ambasada e Greqisë në vendin tonë.

Gara e cila startoi paraditen e sotme, në orën 10.00, u zhvillua në ambientet krejtësisht të reja të “Parkut Helen”, në Liqenin e Farkës në periferi të Tiranës, që u përuruan dy ditë më parë nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe homologu i tij në Athinë. “Parku Helen” është një variant i ri zgjedhjeje që do t’u ofrojë çlodhje, argëtim, kulturë dhe aktivitete sportive banorëve të Tiranës.
Në garën e sotme, pjesëmarrësit në “TIRANATHLON” u angazhuan në gara noti 750 metra, garë çiklistike 20 km, dhe ecje sportive 5 km për burra dhe gra.

Qëllimi i këtij aktiviteti sportiv dhe kulturor, është që të sanksionohet si një trigarësh i rëndësishëm ndërkombëtar, tek i cili do të fokusohet për vit interesimi botëror i botës sportive në kryeqytetin shqiptar. Në garë marrin pjesë sportistë nga Gjermania, Italia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Austria dhe natyrisht nga Shqipëria dhe Greqia.