Gjermania do të kontraktojë më shumë borxhe se parashikimet në 2022 për të vazhduar mbështetjen për ekonominë përballë pandemisë së koronavirusit dhe për të investuar në tranzicionin ekologjik, theksuan sot burime ministrore. Qevria federale parashikon 99,7 miliardë euro kredi të reja nga 81,5 të vlerësuara më parë në muajin mars, sipas një projektbuxheti që do të prezantohet të mërkurën në Këshillin e Ministrave.
“Kjo rritje është e lidhur me pasojat e krizës së koronavirusit që do të lërë gjurmë në 2022, pavarësisht qetësisë së fortë shëndetësore këto javët e fundit”, theksuan këto burime. Vendi ka zgjatur së fundi deri në fund të shtatorit programet e ndihmës për kompanitë dhe punësimin e pjesshëm që do të financohen pjesërisht nga buxheti 2022.
Gjermania do të shpenzojë më shumë vitin e ardhshëm për të financuar tranzicionin ekologjik. Berlini do të zhbllokojë tetë miliardë euro shtesë në 2022, pasi u detyrua nga gjykatat në mes të majit të miratojë një plan më ambicioz të klimës, që synon uljen e emetimeve të gazit serrë me 65% deri në 2030, përkundër 55% më parë.
Këto shpenzime do ta detyrojnë qeverinë të largohet nga parimet e saj të disiplinës buxhetore për të tretin vit radhazi në 2022. Në 2024 dhe 2025, Ministria e Financave parashikon respektivisht 12,0 dhe 11,8 miliardë euro kredi, që do të mbetet gjithashtu nën rregullat kushtetuese.