Shoqëria shqiptare pret që pas shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga vettingu apo edhe për arsye të tjera të dalin përballë drejtësisë dhe pasuria e tyre e vendisur në kurriz të halleve të shqiptarëve të sekuestrohet.

Kështu tha ditën e sotme Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, teksa po përcjell rekomandimet e Këshillit të Ministrave për Prokurorinë e Përgjithshme, e cila tha se duhet të përmbushen pritshmëritë që publiku ka për Reformën në Drejtësi.

‘Një rëndësi e veçantë duhet vendosur në hetimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar për shkak të vettingut apo edhe për arsye tjetër. Pritshmëria e qytetarëve shqiptar është se presin që çdo gjyqtar apo prokuror që është pasuruar në kurriz të halleve të popullit shqiptar, të vetmin fat që duhet të ketë është dalja përballë drejtësisë dhe sekuestrimin e pasurisë. Kjo ka qenë në fokus edhe nga ndërkombëtarët.’- tha Gjonaj.

Më tej ministrja e Drejtësisë Gjonaj se duhet të krijohet terreni i përshtatshëm që garanton pavarësinë e prokurorëve, që është një instrument që e bën më shumë për detyrim llogaridhënie.

‘Kemi detyrimin moral dhe profesional dhe si anëtarë të asaj pjesë të shëndoshë të shoqërisë që ka luftuar për të ngritur funksionime plotë të institucioneve në drejtësi me qëllim që Reforma në Drejtësi të përmbushë pritshmëritë që ka publiku për të. Duhet të kuptojmë të gjithë se pavarësia e Prokurorit është një instrument që e bën më shumë për detyrimin në llogaridhënie, por rrit edhe pritshmërinë që ka shoqëria shqiptare. Duhet të garantohet pavarësia dhe përgjegjshmëria e prokurorëve.

Efektivi i SPAK përbën një rol të pazëvendësueshëm në fushën e dënimit të korrupsionit. Ka filluar edhe funksionimi i BKH që është një instrument i çmuar në luftën kundër korrupsionit. Kuvendi ka garantuar kushtet më të mira për sa i përket hetimit kundër korrupsionit. Këshilli i ministrave ka rekomanduar shtimin e numrit të hetimeve për vepra kundër korrupsionit.’- tha Gjonaj.