Deputetja e PS-së Blerina Gjylameti deklaroi sot se PS dhe kryeministri Rama do të kenë në vazhdimësi kërkesa për bashkëpunim me liderin e opozitës.

E ftuar në një emision televiziv, duke folur për bashkëpunimin me opozitën, Gjylameti tha se, “janë disa çështje të cilat kanë rëndësi kombëtare, dhe besoj se të gjithë qytetarët shqiptarë presin me padurim si pjesën e proceseve integruese, qoftë dhe pjesë të tjera që kanë rëndësi të posaçme. Kështu nuk ka rëndësi mënyra apo mekanizmi që do të gjendet”.

“Nga ana e PS dhe e kryeministrit Rama do të ketë në vazhdimësi kërkesa për bashkëpunim me liderin e opozitës. Kemi plot vende të cilat kanë pasur demokraci të brishta apo jo tërësisht funksionale, të cilat kanë pasur bashkëpunim ndërmjet pozitës dhe opozitës në mënyrë të tillë për të adresuar sa më shpejt çështje të caktuara. Shpresoj në këtë rast ta kemi këtë lloj bashkëpunimi. Para disa vitesh e patë këtë bashkëpunim në një moment të caktuar, në 2017 që për hir të disa momenteve të rëndësishme në Shqipëri, pati një lloj bashkëpunimi”, theksoi ajo.

Gjylameti shtoi se përtej nivelit të bashkëpunimit, e rëndësishme është “që të jemi në tryezën e bashkëpunimit në mënyrë që njëherë e mirë t’i themi stop atyre proceseve të cilat janë zgjatur e zvarritur ndër vite për shkak të mungesës së kulturës së bashkëpunimit midis pozitës dhe pozitës”.

Duke folur për zgjedhjet dhe pretendimet e opozitës, Gjylameti tha se u pretendua për masakër elektorale dhe subjektet politike ashtu siç ka ndodhur dhe me PS, para disa vitesh, depozituan në KQZ dhe KAS të gjitha provat që të vërtetojë atë çfarë thonë.

“Ne të gjithë e pamë, sepse patëm një numërim në KAS live të të gjitha votave apo të të gjitha kutive të votimit në Berat apo edhe në Durrës, për të parë se nuk pati asnjë ndryshim të rezultatit zgjedhor”, tha ajo.

Gjylameti tha se duhet të punohet për të ndryshuar mentalitetin që kanë subjektet politike.

“Nëse kemi pasur një element dhe ka zgjatur pafundësisht në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Ka qenë dhe adresimi i të gjithë problematikave, në mënyrë të tillë, që pasi të përfundonin zgjedhjet, palët të pranonin rezultatin, pavarësisht se janë humbës apo fitues. Gjë e cila, me keqardhje e them, nuk ka ndodhur”, tha ajo.