Greqia është prekur sot nga një grevë kombëtare 24-orëshe kundër një ligji të ri mbi punën, që ka prekur transportin dhe shërbimet publike dhe që sipas grevistëve, do të zyrtarizojë orët shtesë të papaguara.
Lëvizja sociale shkaktoi ndalimin e trageteve dhe trenave, detyrimin për të riprogramuar fluturimet dhe ka paralizuar pjesën më të madhe të transportit publik në Athinë.
Shërbimet publike janë mbyllur, si media publike, gjatë gjithë ditës, ndërkohë që manifestime janë parashikuar në kryeqytet dhe në qytete të tjera të mëdha.
Qeveria theksoi se reforma, që do të paraqitet në Parlament javën e ardhshme, vendos rregullat mbi punën në distancë dhe parashikon garanci kundër abuzimeve seksuale në vendin e punës.
Ministri i Punës, Kostis Hatzidakis theksoi se rregullat e reja do të mundësonin për personelin të negociojë me drejtuesit mundësinë për të punuar më shumë orë gjatë një pjese të vitit dhe më pas të merrte më shumë pushime.
Por, për sindikatat dhe partitë e opozitës, këto rregulla të reja zyrtarizojnë shfrytëzimin e orëve shtesë nga punëdhënësit, veçanërisht kompanitë e mëdha, të cilat tashmë e kanë praktikuar atë për vite me radhë.