Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se situata është nën kontroll dhe janë marrë të gjitha masat për parandalimin e përhapjes së infeksionit, lidhur me konstatimin e tre rasteve të gripit të shpendëve një ditë më parë në vendin tonë. Në një prononcim për ATSH-në, zv.ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ermira Gjeçit, tha se, “gripi i shpendëve nuk rrezikon jetën e njerëzve”.
“Grupet e kontrollit me ekspertët përkatës po monitorojnë sistematikisht situatën dhe janë marrë masa përkatëse duke ndaluar importin e shpendëve të gjalla dhe produkteve të mishit, nga Kosova, disa rajone të Greqisë Veriore, Polonia, Sllokvakia, Hungaria, Gjermania, Ukraina, Izraei, Belgjika, Rumania, Çekia, Danimarka, me qëllim shmangien e infektimit”, tha Gjeci për ATSH-në.
Sipas saj, në tre vatrat e konstatuara në vendin tonë, rastet e konfirmuara janë në ferma të vogla shtëpiake, pula, rosa e pata, në Fushë- Krujë, në Dajt (Tiranë) dhe Bujan (Tropojë) ku kanë ngordhur 300-320 shpendë. “Prejardhja e gripit dyshohet nga shpendët e egra migratore”- deklaroi Gjeçi. Zv.ministrja e Bujqësisë, konfirmoi se situata është nën kontroll, janë izoluar vatrat dhe janë nën monitorim.