Kryesia e Partisë Demokratike ka miratuar metodologjinë mbi bazën e së cilës do të analizohet rezultati zgjedhor i 25 prillit dhe gjithë proceset që pasuan këto zgjedhje. Metodologjia është e bazuar në disa pika në të gjithë frymën e saj theksi vendoset te qëndrimi se 25 prilli ishte një masakrës zgjedhore.

Në pikën e parë thuhet se “analiza e masakrës zgjedhore të 25 Prillit do të realizohet në të gjitha nivelet lokale të partisë, duke nisur nga çdo seksion e deri në nivel Qarku”.

Pika e dytë ngarkon strukturat e partisë që brenda datës 1 korrik të dorëzojnë analizat për rezultatin në çdo seksion dhe grupseksion.

“Duke analizuar parametrat e performancës në raport me objektivat e synuara, si dhe shkaqet, rrethanat, faktorët dhe të dhënat historike elektorale për secilin prej tyre. Për këtë qëllim, në çdo Degë të Partisë, ngrihet një grup pune, që ka në përbërje: a) Kryetarin dhe Sekretarin e Degës; b) Nënkryetarët e Degës; c) Sekretarin Organizativ dhe Sekretarin për Çështjet Zgjedhore”, vijon dokumenti.

Më pas, përpara dorëzimit të Raportit në nivel Dege, Grupi i Punës informon Kryesinë e Degës për të dhënat e përgjithshme të analizës dhe pasqyron në Raport çdo vlerësim apo konstatim të Kryesisë së Degës.

Brenda datës 5 korrik 2021 drejtuesi Politik i Qarkut paraqet Raportin përmbledhës të analizës në nivel qarku, sipas Formatit Tip të miratuar me urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm, brenda 2 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Më pas, raporti analizues i paraqitet Kryesisë brenda datës 10 korrik. Në këtë datë nis faza e dytë e analizës, ku përfshihet sekretariati organizativ i partisë dhe organet e tjera drejtuese, që do të verifikojnë dhe analizojnë performancën e degëve.

Pika gjashtë është edhe më interesantja. Në këtë pikë, Sekretariatit Organizativ të Partisë Demokratike i jepet tagri që të propozojë pezullimin, apo shkarkimin e drejtuesve vendorë të partisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja për drejtuesit e rinj, proces ky që duhet të përfundojë para shtatorit.

Pra, Lulzim Basha pritet të ndëshkojë gjithë kundërshtarët e tij, duke filluar nga Bujar Nishani, që nuk do të jetë më në krye të Këshillit Kombëtar dhe pritet të emërojë gjithë besnikët e vet, në pritje të një përplasje të mundshme me Sali Berishën dhe njerëzit e tij, në shtator, atëhere kur dhe Berisha pritet të përjashtohet nga grupi parlamentar i PD-së, pas shpalljes non grata nga SHBA.