Nga Endri Kajsiu/ Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) pritet të ketë së shpejti kryetarin e ri. Ditën e sotme, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, zhvilloi seancë dëgjimore me katër kandidaturat për kryetar të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), ku përzgjodhën dy prej tyre, specifikisht juristja Alketa Dibra dhe gazetarja dhe drejtoresha e ATSH-së, Armela Krasniqi.
Mirëpo, emri i zonjës Krasniqi, e cila njihet gjerësisht si profesioniste që e njeh mirë median pasi ka punuar që pa mbaruar shkollën në të, ka trazuar Partinë Demokratike, e cila për çdo emër ka baltë me shumicë duke mos kursyer askënd në asnjë rrethanë. Sulmi ndaj saj bëhet me pretekstin se ajo ka punuar me kryeministrin Rama. Në fakt, po t’i hedhësh një sy CV së zonjës Krasniqi, kupton shumë më shumë se çdo deklaratë për mediat. Për shembull, Albana dhe PD nuk e thonë se Krasniqi ka një karrierë të gjatë në fushën e medias që në fillime si reportere në Shijak TV, Televizioni Shqiptar e më vonë si Drejtore e Drejtorisë së Aktualitetit në RTSH apo si drejtuese edicionesh informative e në RTSH, Shijak tv, TVA, si dhe drejtuese emisionesh në RTSH e Neës24.
PD dhe Vokshi nuk thunë as se aktualisht, zonja Krasniqi është Këshilltar Ekspert në një projekt të Strategy& – Price water Coopers. Ajo është zgjedhur përmes votimit të fshehtë nga 32 agjensi europiane të lajmeve për të qenë në bordin drejtues të Agjensive Europiane të Lajmeve. Përveç Krasniqit në këtë bord të zgjedhur janë CEO i DPA (agjensia gjermane e lajmeve), CEO i PA group (agjensia britanike e lajmeve) dhe DG i CTK (agjensia çeke e lajmeve).
Zonja Krasniqi mban aktualisht edhe postin e Presidentes së ABNA- SEE (Presidente e Aleancës Ballkanike dhe Juglindore të lajmeve).
Por, teksa PD nëpërmjet Albana Vokshit sulmonte sot kandidaturën e Krasniqit (edhe pse si profesionistë me shumë gjasë zyra e medias në PD do ta votonte pro Krasniqin për në krye të AMA-s), po t’í hedhësh një sy të shkuarës së kreut të AMA-s kupton shumë për hipokrizinë e akuzave të opozitës.
Për shembull, ish kryetarja e AMA-s, Endira Bushati kur u emërua në krye të këtij institucioni ishte këshilltare e Sali Berishës dhe anëtare e kryesisë se Partisë Demokratike. Njëlloj edhe Mesila Doda e cila më herët kishte qenë zëdhënëse e kryeministrit.
Nga ana tjetër, zonja Krasniqi ka vitë në krye të ATSH, institucion ndaj të cilit nuk ka patur ankesa që lidhen me profesionalizmin në përcjelljen e lajmin dhe paanësinë.Thënë të gjitha këto, deklarata e PD sot ishte një tregues i hipokrizisë së opozitës e cila armën e saj të vetme ka baltën.