Nga Artur Ajazi
Lulzimin mund ta ndash në disa personazhe, përsa i përket gjithë qenies së tij si qytetar i thjeshtë apo dhe si politikan. Ai ka nisur të bëhet “universal”, sidomos pas humbjes së pestë përballë Edi Ramës. Duket sikur ai kërkon dilema dhe skenarë pas çdo disfate, për të dalë “faqebardhë”. Njëherë kërkon “qëndrestarë”, pastaj “zgjedhje të reja të parakohshme”, njëherë “nuk njeh qeverisjen e Edi Ramës”, pastaj thotë se “ne fituam, ai humbi”. Një lëmsh i madh deklaratash dhe qëndrimesh, me burimin e vetëm kryetarin e një partie të asfiksuar politikisht, e një partie që nuk po arrin të gjejë rrugën e duhur të përqëndrimit në pozicionin e saj si opozitë. Lulzimi ka kohë që shfaqet para shqiptarëve (sepse para demokratëve është bërë telef) si humorist i keq, dhe politikan i dështuar.
Mjafton ti dëgjosh atij fjalimet rrakapjekthi, që mban para dhjetra demokratëve që mbledh në degët e rretheve ditët e fundit, për tu bindur se ai e ka humbur sensin e të qenit kryetar. Ka frikë, shfaqet i trembur, pastaj nis dhe “egërsohet” dhe fton demokratët të “jenë qëndrestarë, sepse beteja jona sapo ka nisur, ne do të bëjmë zgjedhje të parakohshme dhe do të fitojmë”. Po pse o Lulzim, pse fle gjumë edhe kur reciton fraza “optimizmi” për ata që të besuan edhe kësaj here, dhe ti i zhgënjeve në mënyrën më të keqe të mundshme.
Pse o Lulzim, nuk dëgjon “miqtë që të duan të mirën”, kur të thanë se “largohu dhe ndero vehten”, edhe pse Berisha të ka kapur “kokën me derë” për shumë mëkate, që nesër mund të kthehen në “non-grata” edhe për ty. Je kthyer në humorist, dhe burim batutash o Lulzim, dhe ke harruar se akoma ke të veshur “kostumin e politikanit”. Partia nuk është as komisioni i tenderimit të Rrugës së Kombit, as grupseksioni i PD, në ish-Gardën e Republikës në kohën kur ti ishe ministër i Brendshëm. Personalisht nuk mund të ndaj dot humoristin Lul nga politikani Basha. Sepse në çdo rast, duket sikur ka një lidhje organike mes tyre. Çfarë thua në mëngjes, nuk e thua në drekë, dhe çfarë deklaron para zgjedhjeve nuk e deklaron pas humbjes që mëson. Atëhere cilin të besojmë ? Ti deklarove “fitoren” vetëm 2 orë pas mbylljes së kutive të votimit, hape shampanjë, dhe u the të gjithëve se “e rrëzuam regjimin Rama”.
Pastaj dole dhe the se “na vodhën votat”, edhe pse ngrite grupime paramilitare në çdo qytet, madje me ish-policë të akuzuar, që kryen edhe vrasje në ditët e fushatës. Dhe natyrisht, kjo ishte porosia e kryetarit, “mbroni votën me çdo çmim”. Ndërkohë ke nisur një tjetër fushatë, atë të mbajtjes me çdo çmim të postit të pamerituar, të kryetarit të Partisë Demokratike. Por ke harruar Lulzim, se kjo është më keq se “non-grata” sepse demokratët nuk do të harrojnë asgjë, dhe do të ngrihen një ditë për të zbuar ty nga partia.