Institucionet europiane njoftuan sot një marrëveshje politike për një buxhet prej 14,16 miliardë euro, që synon të ndihmojë vendet kandidate për anëtarësim përfshirë Turqinë gjatë periudhës 2021-2027.
Kreu i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadori Luigi Soreca u shpreh në një reagim se, IPA III do të mbështesë politikën e zgjerimit.
Soreca gjithashtu theksoi se IPA III do të sigurojë fonde për Planin Ekonomik dhe Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
“Arrihet marrëveshja politike për 14 miliardë euro si Instrument për Ndihmën e Para-Anëtarësimit. IPA III do të mbështesë politikën e zgjerimit dhe do të sigurojë fonde për Planin Ekonomik dhe Investimeve për Ballkanin Perëndimor, mjet kyç për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike të rajonit pas COVID19”, u shpreh Soreca.
Sipas KE, marrëveshja politike mbi buxhetin e instrumentit të ri të parapranimit duhet ende të shoqërohet me bazë ligjore dhe të miratohet zyrtarisht nga Parlamenti Europian dhe Këshilli.
Përfituesit e ndihmës janë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia.