Pika e kthesës ka mbërritur, edhe pse “tymi i bardhë” do të zgjasë edhe disa ditë. Tani nuk ka më dyshime: Achraf Hakimi do të jetë lojtar i ri i PSG, i cili shton një tjetër kampion në një ekip tashmë yjesh. Hapi vendimtar në negociata, megjithatë, nuk ishte fillimi i pritshëm i klubit të presidentit Al-Khelaifi, i cili po trondit merkaton për të arritur kampionët shumë të dëshiruar. Lajmi erdhi nga Londra, ku Chelsea ka vendosur të dalë jashtë garës për anësorin maroken.
Klubi i Abramovic shkoi deri në 55 milionë euro, plus kartoni i Marco Alonso, për një total prej 65 milionë. Më përtej nuk kishte ndërmend të shkonte. Dje i tha Interit se nuk ishte më në garë për marokenin. Në bazë të hapit prapa, me siguri, do të ketë qenë vullneti i vetë Hakimit, i cili kurrë nuk ia mbylli derën ekipit kampion europian, por që ditët e fundit kishte përcaktuar tashmë kushtet e marrëveshjes së re me PSG: kontratë 5-vjeçare, 8 milionë neto në sezon, plus 2 milionë bonuse.
Pra, 10 milionë euro në vit. Dyfishi i asaj që fitoi në Milano sezonin e kaluar. Tani mungon hapi i fundit, më i rëndësishmi: Inter dhe PSG do të punojnë gjatë fundjavës për të koordinuar detajet e fundit të operacionit, për të rregulluar pjesën që lidhet me shpërblimet dhe më pas të nënshkruajnë transferimin. 65 milionë euro do të shkojnë tek Interi, një “oksigjen” për arkat e klubit në këtë moment delikat.
Sakrifica – Mbi të gjitha, presidenti Zhang kishte qenë kategorik, duke kërkuar një përpjekje të madhe nga menaxhmenti e tij. Borxhet duhet të shlyhen dhe për ta bërë këtë ishte e nevojshme të sakrifikohej të paktën një yll i madh, për t’iu afruar shifrës prej 90-100 milionë në asete deri në fund të vitit, siç kërkohet nga Suning. Për këtë arsye, Marotta ishte i qartë me Leonardo që në fillim: Hakimi mund të largohet, por vetëm për një ofertë të konsiderueshme, pa asnjë homolog të përfshirë në operacion.
PSG filloi nga 50 milionë, Interi nga 80. Dhe pas rreth një muaji pune, palët u takuan diku në mes, siç ndodh shpesh në kësi operacionesh komplekse. Pavarësisht nga rinisja e sulmit të dëshpëruar të Chelsea të mërkurën, rruga e marokenit për në Paris ishte gjurmuar ptej disa kohësh. Në kryeqytetin francez, në fakt, zonja Hiba Abouk, gruaja e Hakimit, shkon shpesh për çështje pune. Tani do t’i kursejë udhëtimet e punës Milano-Paris.