Ish-ambasadori i Shqipërisë në Francë dhe Belgjikë, Petraq Pojani e vlerëson si një moment shumë të rëndësishëm pjesëmarrjen e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Është një moment shumë i rëndësishëm që për herë të parë Shqipëria merr pjesë në Këshillin e Sigurimit të OKB”, tha ai në një prononcim për ATSH.
Ish-ambasadori Pojani, i cili gjatë karrierës së tij ka qenë anëtar i Delegacionit Shqiptar në sesionet e AP të OKB-së, u shpreh se, “për Shqipërinë është shumë e rëndësishme sepse Këshilli i Sigurimit ka anëtarë të përhershëm dhe pastaj të përkohshëm siç është rasti i Shqipërisë. Dhe sipas kontributeve të vendeve votohet në Asamble dhe zgjidhen. Ky është rasti i Shqipërisë që është votuar në Asamble si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit”.
“Në arenën ndërkombëtare kjo është një arritje shumë e madhe sigurisht, sepse nga Asambleja i bashkohen Këshillit të Sigurimit disa nga pjesëmarrësit e Asamblesë. Rasti i Shqipërisë është sigurisht i rëndësishëm pasi të rrallë janë ata vende që herë pas here marrin pjesë”, deklaron ish-ambasadori për ATSH.
“Arritje është vetë pjesëmarrja në Këshillin e Sigurimit dhe kjo bëhet sepse Shqipëria është një nga pjesëtarët aktivë dhe koontribues në mbledhjet e vazhdueshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Është një meritë”, theksoi Pojani i cili ka qenë edhe këshilltar në Misionin e Përhershëm të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Nju Jork.
Ai u shpreh për ATSH se edhe Presidenca e OSBE-së nga Shqipëria vitin e shkuar është një kontribut direkt që i jep të drejtën Shqipërisë të jetë një pjesëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së
Petraq Pojani nga viti 1961 deri në vitin 1980 ka qenë anëtar i Delegacionit Shqiptar në sesionet e AP të OKB-së, në 1971-1973, këshilltar në Misionin e Përhershëm të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Nju Jork dhe në ’91-’92 ambasador i Shqipërisë në Francë, akredituar edhe në Belgjikë, Holandë, Luksemburg, Portugali dhe UNESKO.
Zgjedhja e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 65 vitesh anëtarësim në OKB, e votuar nga 175 vende anëtare, konsiderohet një prej arritjeve më të mëdha në diplomacinë ndërkombëtare për vendin tonë.
Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara është ndër organet më të rëndësishme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që ka për detyrë mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në mes të kombeve.
Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin në garë, pa konkurrentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet. Për t’u zgjedhur, secilës prej tyre i duhej të siguronte dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së.
Vendet kandidate do të zëvendësojnë pesë anëtarët aktualë: Estoni, Nigeri, Saint Vincent dhe Grenadines, Tunizi dhe Vietnam. Mandati i anëtarëve të rinj fillon më 1 janar 2022 dhe do të shërbejnë deri në 31 dhjetor 2023.