Italia njoftoi sot se pasagjerët e ardhur nga Britania e Madhe do të duhet të qëndrojnë sërish në karantinë , ndërkohë që shumë vende të tjera do të mund të hyjnë lirisht nëse posedojnë pasaportën shëndetësore antiCOVID-19. Karantina e detyrueshme për pasagjerët që vijnë nga Britania e Madhe do të hyjë në fuqi të hënën më 21 qershor, theksoi Ministria e Shëndetësisë. “Kam nënshkruar një urdhër të ri që mundëson hyrjen nga vendet e Bashkimit Europian dhe SHBA-ja, Kanadaja dhe Japonia me certifikatë të gjelbër”, njoftoi ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza në Facebook. “Certifikata e gjelbër është një certifikatë shëndetësore që vërteton vaksinimin, kurimin ose negativitetin e një testi antiCovid-19”, njoftoi ministri.
Speranza sqaroi gjithashtu se udhëtarët nga Britania e Madhe, një vend ku varianti Delta është i përhapur, do të duhet të qendrojnë në një karantinë pesë-ditore dhe t’i nënshtrohen një testi antiCovid. Italia zgjati gjithashtu ndalimin e hyrjes në territorin kombëtar për udhëtarët e ardhur nga India, Bangladeshi dhe Sri Lanka. Italia ka adminsitruar deri tani më shumë se 44 milionë doza të vaksinës antiCOVID-19.