Një flamur i Juventusit, fillimisht si lojtar dhe më pas si menaxher. Giampiero Boniperti, presidenti i nderit i “Zonjës së Vjetër”, u nda nga jeta mbrëmë. Boniperti, i cili do të kishte mbushur 93 vjeç më 4 korrik, vdiq gjatë natës në Torino për shkak të një sulmi në zemër. Në vitet e fundit, ish-lojtari i Juventusit ishte tërhequr në jetën private. Lajmin e ndarjes nga jeta e komunikoi familja. Varrimi do të bëhet në ditët e ardhshme privatisht.
Me këtë njoftim për shtyp, Juventusi donte të përshëndeste një legjendë nga historia e vet: “Ky është lajmi që ne kurrë nuk kemi dashur t’jua japim. Sot, 18 qershor 2021, ne përshëndesim përgjithmonë Giampiero Boniperti, i cili vdiq në Torino në moshën 92-vjeçare. Ai do të kishte mbushur 93 vjeç për disa ditë, 4 korrikun e ardhshëm. Emocioni që të gjithë ne ndiejmë tani nuk na pengon të mendojmë fort për të, për gjithçka që “Presidentissimo” ishte dhe do të jetë gjithmonë në jetën e Juventusit.
Një figurë e pashlyeshme, e cila nga sot i dorëzohet kujtesës, sepse tashmë ka përfunduar në librat e historisë së futbollit prej disa kohësh. Kur shprehni një mendim, dhe ai mendim bëhet pjesë e ADN-së së klubit, të cilit i keni kushtuar jetën, kjo do të thotë që karakteri juaj është bërë identiteti dhe mënyra e të qenurit. Do t’ju kujtojmë përgjithmonë”.