Manuel Locatelli dhe një sulmues kalibri: këto janë dy kërkesat kryesore të Max Allegrit në lidhje me merkaton e Juventusit. Drejtuesit e bardhezinjve po zhvillojnë negociata me agjentin e mesfushorit të Sassuolos dhe ka optimizëm në lidhje me akordin.

Sa i përket repartit ofensiv, shumë emra kanë dalë në skenë. Nga Icardi te Dzeko, e nga Milik te Gabriel Jesus. Trajneri do një emër të madh për ta vendosur përkrah Alvaro Moratës dhe ideja e fundit intrigon tifozët e “Zonjës”.

Calciomercato raporton se Juventusi po tenton të sigurojë shërbimet e Harry Kane, një nga goleadorët më të mirë në planet. Ylli anglez dëshiron të largohet nga Tottenham. City dhe Chelsea e duan në Premier League, por garës i është bashkuar edhe Juventusi.

Problem mbeten kërkesat e larta të Tottenham në lidhje me kartonin dhe vetë kapitenit sa i përket rrogës sezonale. Gjithsesi, rekordmenët e Serie A e kanë të qartë që për të konkurruar në Champions League duhen bërë sakrifica në merkato.