Më shumë se një milion persona kanë marrë certifikatën dixhitale europiane Covid, që duhet të lehtësojë udhëtimet këtë verë brenda BE-së, bëri të ditur eurokomisioneri Didier Reynders në Parlamentin Europian. “Më shumë se një milion qytetarë i kanë marrë tashmë këto çertifikata dhe shumë të tjerë do të pasojnë në javët dhe muajt në vijim”, tha Reynders. “Këto certifikata, që vërtetojnë se një person është vaksinuar kundër COVID-19, se ka një test negativ ose që është imun pas një infeksioni, kanë filluar të lëshohen në nëntë vende”, vlerësoi ekzekutivi.

Këto vende janë Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Gjermania, Greqia, Polonia, Lituania dhe Spanja, sipas këtij burimi. Dokumenti pritet të njihet nga të gjitha vendet e BE-së nga 1 korriku, sipas një rregulloreje që do të miratohet nga Parlamenti Europian në një votim, rezultati i së cilës do të shpallet të mërkurën. Certifikata do të lejojë mbajtësit e saj të shmangin karantinat në vendin e tyre të destinacionit.