Me ftesë të ministrit grek të Turizmit, Harry Theoharis, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ndodhet për vizitë zyrtare në Athinë.
Në takimin bilateral mes dy ministrave, u fol për rritjen dhe shkëmbimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e turizmit, si një nga çështjet që i bashkon fort dy vendet tona kufitare e aq më shumë në kohën kur ky sektor ka pësuar dëme të mëdha nga pandemia.
Ministri Klosi dhe homologu i tij grek ndanë pikëpamjet respektive për sektorin e turizmit, rrugët për rritjen e tij, sikundër edhe për rritjen e bashkëpunimit të dy vendeve në shkëmbimin e eksperiencave. Veçanërisht kjo do ta ndihmonte sektorin turistik shqiptar në rritjen e turizmit detar dhe menaxhimin e vijës bregdetare.
Ministri Blendi Klosi u ndal tek lëvizja e lirë e qytetarëve në kufi, në kushtet e rënies së infektimeve dhe rritjes së vaksinimit.
“Kjo do ti shërbejë turizmit në të dyja anët e kufirit”, u shpreh ministri Klosi. “Besimplotë se ministri Theoharis, do të jetë avokati i situatës së mirë pandemike, e reduktimit të infektimeve, vaksinimit masiv për t’ia përcjellë instastancave vendimmarrëse të masave”, u shpreh Klosi.
Nga ana e tij, homologu grek shprehu vullnetin për të bërë më të mirën në këtë drejtim.