Ermira Muça nga Mamurrasi ka denoncuar në emisionin “Stop” një rast mashtrimi. Ajo ka rrëfyer se para disa kohësh ka bërë një koment në faqen e Facebook të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dhe direkt i është dërguar një link duke iu thënë se ishte fituese e 50 mijë Eurove.

Muça tregon se më pas është kontaktuar në rrjetin social Whatsapp dhe i kishin kërkuar që të depozitonte si fillim 398 Euro dhe më pas do të merrte në llogarinë e saj shuma e madhe prej 50 mijë Euro.

Ajo thotë se nuk u mashtrua dhe u bën apel të gjithëve që të mos bien pre e faqeve të tilla që u premtojnë shuma të mëdha parash.

“Para disa ditësh i bëra një koment ministres së Shëndetësisë, si fanse e saj që jam. Pas komentit me erdhi një link duke më thënë “Urime ju jeni fituese”. Në momentin që klikova me erdhi mesazh “Çfarë do bëni me shumën 50 mijë Euro?”, unë i thash do t’i harxhoj si gjithë të tjerët që mund të kenë 50 mijë Euro. Pas dy minutash më dërgoi një foto dhe duhet të dërgoja 398 Euro, por unë nuk e zgjata dhe i thash ‘do merremi vesh ndryshe, kush jeni ju që talleni me njerëzit’”, tregon gruaja nga Kurbini.

Pas publikimit të këtij rasti drejtuesi i emisionit Saimir Kodra u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien pre e mashtrimeve online dhe të mos dërgojnë Lekë, pasi kohët e fundit janë shtuar shumë faqet që mashtrojnë. “Nuk fiton askush lotari duke qëndruar në shtëpi”, tha Kodra.

Por “Stop” e ka ndjekur rastin e denoncuar nga Ermira Muça dhe ka kontaktuar me personin që fshihet pas këtij mashtrimi dhe sërish gazetares së emisionit iu tha se kishte fituar një shumë të madhe parash, por edhe këtë herë gjithçka ishte mashtrim.