Numri i të punësuarve në ndërmarrjet e mëdha u rrit përgjatë vitit 2020 krahasuar me vitin 2019, ndonëse ato shënuan një rënie të lehtë. Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT, ndërmarrjet e mëdha me 50 e më shumë të punësuar gjatë vitit 2020 zënë vetëm 1,2 % ndaj totalit të ndërmarrjeve, por kontributi i tyre në punësim llogaritet 48,5% nga 47,8% në vitin 2019.

Nga 166,386 ndërmarrje që u regjistruan në fund të vitit që lamë pas 1,979 ndërmarrje raportojnë 50 e më shumë të punësuar. Në 2019-n numri i ndërmarrjeve që raportonin 50 e më shumë të punësuar ishte 1984. Nga këto, rreth 758 kompani operojnë në sektorin e prodhimit të të mirave ku përfshihen industria, bujqësia dhe ndërtimi. Ndërsa 1221 kompani operojnë në sektorin e prodhimit të shërbimeve, ku përfshihen tregtia, transporti dhe magazinimi, akomodimi dhe shërbimi ushqimor si dhe informacioni dhe komunikacioni.