Dritan Leli nuk ka marrë pjesë në 2 mbledhjet e kaluara të Këshillit Bashkiak të Vlorës me argumentin se po respekton masat anti-COVID, e megjithatë Ministria e Shëndetësisë sot ka dhënë ‘OK’ që të mbahen mbledhje fizikisht. Kjo përgjigje nga zv. ministrja Mira Rakacolli vjen pasi Sekretari i Këshillit Agron Gjipali ka kërkuar një konfirmim mbi ligjshmërinë e realizimit të mbledhjes fizike në sallën e teatrit “Petro Marko”.
“Përsa i përket Urdhrit të Ministres së Shëndetësisë ‘Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo te hapura’ qëllimi ka qenë ndalimi i grumbullimeve të posaçme, që sikundër përmendet në urdhër lidhet me tubimet, konferencat, mbledhjet partiake, ceremonitë festive etj. ku rreziku i transmetimit të virusit është shumë i lartë. Përsa më sipër ky urdhër nuk cenon aktivitetin e Këshillit Bashkiak, pasi zhvillimi i mbledhjeve është vijimësi e punës së Këshillit Bashkiak, një praktikë që përdoret edhe nga institucione të tjera që punën e tyre e mbështesin mbi organe kolegjiale. Sot Vlora paraqet një situatë epidemiologjike të mirë, pa asnjë rast Covid. Sigurisht, këto mbledhje duhet të zhvillohen në përputhje me protokollet anti-Covid të miratuara si respektimi i distancës, mbajtja e maskës, kushtet higjenosanitare etj.”, shkruan Rakacolli në përgjigjen për Gjipalin.