Gianluigi Buffon, përmes faqeve të “La Gazzetta dello Sport” shkroi një letër të gjatë drejtuar qytetit të Parmës, Juventusit dhe të gjithë tifozëve të tij: “Më kujtohet rruga që më çoi në Parma. Unë e di rrugën e kthimit. Parma është si një shtëpi pushimi për mua, ku mund të zhytesh në pyll për orë të tëra duke imagjinuar jetën. Parma është albumi i kujtimeve, ai që ju shfletoni për të gjetur veten. Parma është miku që mbledh pasiguritë dhe frikën tuaj. Parma është nëna që të merr për dore dhe të ndihmon të kalosh rrugën.
Parma është dëshira për ta tepruar, liria për të bërë gabime, guximi për t’u rritur. Parma jemi të gjithë ne, sepse të gjithë kemi një Parma në zemrat tona. Në këto vite unë kam udhëtuar nëpër botë dhe madje jam ngjitur në çatinë e botës. Kam fituar shumë dhe ndonjëherë kam humbur. Por koha ime me fanellën verdhekaltër nuk ka mbaruar ende. Faqet që më kanë mbetur duhet të shkruhen të gjitha.
Më kujtohen tani emocionet nga hera e parë, miqtë për t’u përqafuar përsëri, fotot për t’i rishikuar; për të buzëqeshur dhe për t’u prekur. Parma, për herë të dytë, gjithashtu do të ketë aromën e sfidës, të pushtimit, të dëshirës për të fituar. Sepse kjo nuk shuhet kurrë tek ai ekip. Gjithmonë ka mbetur e njëjtë kjo dëshirë dhe për mua: qysh nga fusha poshtë shtëpisë, kur luaja me miqtë, deri në finalen e Kupës së Botës.
Parma është e kaluara dhe e ardhmja ime. PSG ishte një aventurë e jashtëzakonshme dhe e paharrueshme. Juventusi ishte dhurata më e mirë, që mund të kisha jetuar. Gjithë mirënjohjen që ndiej e kam arritur me këto duar, me këto dorashka; për ganellën bardhezi. Mbase nuk do të mjaftojë kurrë kaq, sepse do doja të kasha fituar edhe Champions-in. Sidoqoftë, kjo është jeta: të mësosh të shijosh atë që ke për të mos jetuar me keqardhje.
Dhe nuk jam penduar te Juventusi. Nuk e kam kursyer kurrë veten. Unë kurrë nuk jam tërhequr, kurrë nuk kam ndaluar së mbrojturi atë metaforë të ekzistencës, që quhet portë. Dhe tani është koha për ta treguar veten sërish. Parma më pret. Sepse disa dashuri nuk mbarojnë. Ato bëjnë kthesa të mëdha dhe ndonjëherë, vetëm për ata që besojnë në to, kthehen”.