Ka parapëlqyer një rol në të cilin “protagoznimin” ia ka lënë atij që është votuar nga qytetarët për të qenë protagonist, për t’iu dedikuar me të njëjtin zell si më parë jetës së saj profesionale dhe familjare.

Megjithatë, barazia gjinore, është një prej kauzave kryesore të aktivitetit publik dhe profesional të Linda Ramës, bashkëshortes së kryeministrit Rama.

E ftuar ditën e djeshme në studion e Ilva Tares në “Euroneës”, u pyet nëse në Shqipëri ka ardhur koha për të pasur një lidere grua, qoftë në rolin e Kryeministrit apo atë të Presidentit.

Lexoni shkëmbimin në të cilin zonja Rama pyetet për rolin e gruas në politikën shqiptare.

Ilva Tare: Ka ardhur momenti në Shqipëri? Është e mundur të ketë një kryeministre apo një presidente grua?

Linda Rama: Unë besoj që momenti ka qenë kohë më përpara. Ka qenë dje, ka qenë pardje. Ka qenë dhe që në fillim të tranzicionit, ditën një të kërkesës për demokraci që ne kemi pasur, mundesisht edhe nje grua kryeministre, grua presidente, gra ministre sepse investimet në arsim këtu nuk kanë filluar në vitin ’90 dhe kualifikimet shpalosjet intelektuale kanë qenë për dekada të ushtruara në këtë vend.

Ilva Tare: E vërtetë tjetër është gjithashtu se në këto dy mandate të qeverisë së Edi Ramës ka pasur shumë gra. Madje qeveria e fundit ishin më shumë gra, ishin në balancë të plotë, madje e tejkaloi një moment. E kanë kryer misionin e të qenurit gra dhe gra në politikë ashtu siç duhet apo ka pasur gabime edhe nga vetë gratë? Në gjykimin tuaj.

Linda Rama: Në gjykimin tim, ne duhet t’i gëzohemi një herë, shumë, faktit që ne sot në tabelat botërore ku diskutohen çështjet e barazisë gjinore, ne jemi në nivelet më të larta. Mendoj që ne jemi në të parët, pikërisht për këtë shkak që thatë ju, jo vetëm për në qeverisje por unë e kam studiuar përfaqësimin e grave, ne fakt jo së fundmi, po në vitin 2016-2017 në mos gaboj. Në të gjitha nivelet e larta por edhe në kompanitë private, në bordet dhe si CEO të kompanive, si drejtuese të larta të kompanive private dhe mua më rezulton që ky është një realitet që shtrihet në të gjitha hallkat. Ka qenë dhe më përpara, nuk ka ndodhur vetëm këto vite, por këto vite është, unë mendoj që ka ndodhur shpalosja më e madhe, janë dhënë mundësitë më të mëdha, edhe për parlamentin, edhe për qevrinë, të përfaqësimit të gruas në politikë. Kështu që ne duhet t’i gëzohemi këtij fakti.
Jemi në rrugë të mbarë dhe jemi dhe në rrugë të drejtë.