Mesfushori gjerman, Toni Kroos, pranoi që skuadra e tij “nuk kishte efektivitet”, pasi u eliminuan nga “Euro 2020”, të martën. Kroos dhe Gjermania u mposhtën nga Anglia në 1/8 finale 2-0. “Tre Luanët” likujduan rivalët e tyre të vjetër, pas golave të Harry Kane dhe Raheem Sterling.
“Ishte një lojë shumë e barabartë deri te goli ndaj nesh, – tha Kroos për “MagentaTV”. – Të dyja ekipet neutralizuan njëra-tjetrën. Ndoshta na mungoi efektiviteti. Ne përparuam në një grup të vështirë, por ky eliminim është shumë zhgënjyes tani”.
Trajneri i Gjermanisë, Joachim Low, drejtoi ndeshjen e tij të fundit të martën, pasi kishte njoftuar më parë se do të largohej nga ekipi kombëtar pas këtij turneu. Low më parë e kishte udhëhequr Gjermaninë në triumfin e Kupës së Botës 2014, por tani largohet pa lavdi, pas zhgënjimeve në Botërorin 2018 dhe Europianin e kësaj vere:
“Është një zhgënjim për të gjithë ne. Shpresonim për më shumë, besimi tek ekipi ishte absolut. Ne patëm dy raste të shkëlqyera, por, për fat të keq, nuk shënuam asnjë gol. Na vjen keq që jemi jashtë turneut, pasi kemi punuar shumë për katër javët e kaluara dhe të gjithë lojtarët janë ndier mirë.
Unë nuk mund të fajësoj askënd. Më vjen keq që entuziasmi i madh në shtëpi tani është zhdukur. Zhgënjimi peshon rëndë. Një orë ose dy duhet të kalojnë para se të mund t’i them disa fjalë ekipit. Të gjithë lojtarët janë plotësisht të zhgënjyer, ashtu jemi edhe ne.
Kemi shumë lojtarë të rinj që do të mësojnë prej këtij kompeticioni. Në Kampionatin Europian 2024, që do të luhet në shtëpinë tonë, disa do të jenë në nivelin e tyre absolut të lartë, gjithashtu edhe sa i përket përvojës”.