Në prag të ndeshjes debutuese të Kampionatit Europian kundër Turqisë, Roberto Mancini publikoi një letër në faqen e tij personale. Një letër kushtuar dhe adresuar të gjithë tifozëve italianë, kryesisht Italisë. Në të shkruhet:
“E dashur Itali, duket se ka kaluar një përjetësi që kur siguruam kualifikimin atë mbrëmje në ‘Olimpico’, kundër Greqisë. Ishte tetor 2019, ishim euforikë dhe para nesh shtrohej mundësia për t’u kthyer në ‘Olimpico’ disa muaj më vonë, duke përjetuar një kënaqësi sportive me Kampionatin Europian udhëtues. 2020-ta ishte menduar të ishte viti i kënaqësisë së madhe, viti në të cilin do të ndanim një gëzim së bashku, por të gjithë e dimë se si shkoi.
Ishte një vit në të cilin ndryshuam zakonet, për disa kanë qenë muaj larg njerëzve që duan, për fat të keq dikush ka humbur njerëzit që do. Muaj në të cilët gjërat më të thjeshta janë bërë komplekse. Për askënd nuk ka qenë e lehtë, megjithatë secili në mënyrën e tij ka luftuar me pasojat e pandemisë globale, që janë akoma të dukshme dhe do të mbeten të forta për një kohë.
Sporti në këto momente, siç kam thënë më shumë se një herë, është një mjet thelbësor në jetën tonë. Mund të na ndihmojë të ndihemi më mirë, mund të na ndihmojë të shkëputemi përkohësisht nga disa mendime ose momente të komplikuara. Sporti mund të na japë kaq shumë emocione pozitive. Asnjëherë si tani nuk kemi pasur kaq shumë nevojë për të. Ekipi ynë kombëtar, në Kampionatin Europian që do të fillojë pas disa orësh, është i vetëdijshëm se përfaqëson një popull fantastik dhe të vendosur.
Për këtë arsye, unë, së bashku me stafin dhe 26 lojtarët që do të dalin në fushë, do të përdorim çdo minutë të kësaj ngjarjeje për të nderuar vendin që përfaqësojmë. Ne e dimë që ndeshjet tona do të jenë një moment i bashkimit të miliona italianëve. Do të jenë momente të gëzimit, që do të na bëjë të harrojmë vitin e sapopërfunduar për një moment. Duke luajtur në këtë kompeticion jemi të vetëdijshëm për forcën e fanellës blu dhe të popullit italian.
Ne do t’ju nderojmë çdo minutë, do të dalim në fushë me ngazëllimin e fëmijës kur fillon të luaj futboll, por edhe me përgjegjësinë e atyre që përfaqësojnë një nga vendet më të forta dhe më të bukura në botë. Të bashkuar nën një qiell të vetëm blu, të veshur me bluzën blu, le të bashkohemi së bashku në një kor të vetëm, që bashkon më shumë se 60 milionë italianë: FORZA AZZURRI!”