Trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez, pasi mposhti Portugalinë në raundin e 1/8-ave të Kampionatit Europian falë golit të shënuar nga Thorgan Hazard, foli për përplasjen me Italinë në çerekfinale, duke vlerësuar punën që ka bërë Mancini në krye të të kaltërve.
“Italia është ndoshta ekipi më i mirë i turneut. Ajo që ka bërë Mancini është një shembull se si ta bëjmë një ekip të rritet dhe mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur mes dy skuadrave të shkëlqyera”. Martinez më pas komentoi performancën e ekipit të tij kundër Portugalisë: “Ishim të përqendruar, duke u mbrojtur me të vërtetë mirë. Kontrolluam lojën, shënuam një gol të shkëlqyer dhe më pas, në pjesën e dytë, siç pritej, Portugalia kishte më shumë vrull. Duhej të demonstronim mentalitet të fortë. Gjithçka vërtitej rreth atyre aspekteve, të të qenit i disiplinuar taktikisht dhe shumë, shumë dinak.”
Sa u përket problemeve fizike të De Bruyne dhe Hazard, spanjolli i Belgjikës sqaroi:
“De Bruyne pësoi një goditje të ashpër në kyçin e këmbës dhe mjekët ende nuk kanë përcaktuar diagnozën. Për Hazard është më shumë një problem muskulor. Kemi nevojë për 48 orë kohë për të vlerësuar shkallën e lëndimeve. Do të kthehemi në Belgjikë dhe do të kryejmë ekzaminimet e duhura”.
“Të zhgënjyer dhe të trishtuar”. Kështu u shpreh trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, pasi eliminimit të skuadrës së tij, kampionia ende në fuqi e Europës. Ai deklaroi se futbollistët luzitanë kanë dhënë gjithçka në fushë dhe nuk mund të kenë asnjë keqardhje. Santos theksoi se Portugalia ishte e pafat, pasi goditi dy herë shtyllën, ndërsa Belgjika, edhe pse e gjuajti më pak drejt portës, realizoi një gol që mjaftoi për kualifikimin.