Ndërsa Lulzim Basha është i detyruar të shfaqet sërish nëpër ekrane pas humbjes poshtëruese të 25 prillit, pasi duhet të mbajë drejtimin e PD-së, aleatja e tij kryesore Monika Kryemadhi, është zhdukur pa gjurmë.
Ajo dha veç një deklaratë më 25 prill, kur tha se LSI kishte fituar dhjetëra deputetë, doli dhe në një deklaratë tjetër pas konfirmimit të humbjes, dhe që prej asaj kohe, ka mbyllur aktivitetin e vet politik.
Hera e fundit që dëgjuam për Monika Kryemadhin, ishte kur shkoi në SHBA të takonte kushërirën e saj Bebe Rexha.
Dhe këtë e morëm vesh nga Bebe, e cila postoi disa video dhe foto si koketa me kushërirën e saj Monika.
Me të drejtë, edhe mbështetësi i saj Nikoll Lesi, pyeste një ditë më parë, çfarë po bën Monika këto kohë.
Tani dikush mund të thotë se në fakt s’ka çfarë bën, se humbi zgjedhjet e s’ka pse të dalë.
Por jeta politike nuk përfundon me mbylljen e zgjedhjeve, aq më tepër kur drejton një parti politike, e cila është në betejë për të vërtetuar vjedhjen e zgjedhjeve të 25 prillit.
Por me sa duket as vetë Monika nuk e beson këtë kauzë, ndaj dhe nuk është marrë fare me të.
Madje dhe Tit Vasili, që bënte dhjetëra statuse në ditë, këto kohë ka rënë në qetësi dhe kujtohet veç ndonjëherë kur shkruan Ilir Meta.
Është e kuptueshme që situata në LSI nuk është nga më të mirat, por këta duket këto kohë sikur e kanë ulur qepenin e partisë dhe kanë nisur pushimet e parakohshme, në pritje të shkarkimit të Ilir Metës dhe rikthimit të tij si kryetar i partisë./TemA