“E them me kënaqësi që po ulet numri i pacientëve të shtruar në spital dhe kjo tregon se është ulur edhe sëmundshmëria në popullatë. Ne jemi drejt uljes së numrit të rasteve si asnjëherë tjetër gjatë kësaj periudhe. A do të shkojmë drejt zeros këtë nuk mund ta them dot. Ne kemi disa ditë që nuk kemi pacientë të rinj të shtruar. Aktualisht nuk kemi asnjë person të intubuar, por kjo është një sëmundje që nuk të lejon të bësh shumë parashikime”.

Kështu u shpreh Najada Çomo, drejtoresha e spitalit Covid 1, në një intervistë për gazetaren e A2 Ornela Joti, teksa komentoi situatën aktuale në spitalin e vetëm Covid në vend. Megjithatë, Çomo thekson se duhet të vazhdojë në mënyrë intensive procesi i vaksinimit, pasi është një armë e fuqishme në këtë luftë.

Sa i përket vjeshtës së dimrit të ardhshëm, Çomo u shpreh: “Do të isha e lumtur që të mos kishte më raste në Shqipëri, por gjykohet se mund të ketë raste edhe në vjeshtë, por vaksinimi është një proces i rëndësishëm dhe mund të minimizojë edhe atë që mund të vijë në vjeshtë”, tha Çomo.