Italia ka vendosur të luajë me ekipin e dytë në ndeshjen e fundit të grupit kur Uellsit, pasi tashmë e ka siguruar kalimin në mesin e 16 më të mirëve në Euro 2020. Takimi i xhiros së tretë dhe të fundit në Grupin A mes Italisë dhe Uellsit zhvillohet në Stadiumin Olimpik në Romë, në orën 18:00. Italia dhe Uellsi futen në këtë takim të vetëdijshme se barazimi do të dërgojë të dyja në rrethin tjetër të turneut të verës nga vendi i parë dhe vendi i dytë, përkatësisht.

Kjo sepse Italia zë vendin e parë me 6 pikë, Uellsi të dytin me 4 pikë, duke i lënë Zvicrën dhe Turqinë në fund me nga 1 dhe 0 pikë, përkatësisht. Një barazim këtu do të nënkuptonte se Zvicra duhet të fitojë dhe të shpresojë në kualifikim nga vendi i tretë, si njëra prej ekipeve të treta të renditura më së miri nga të gjitha grupet.

Italia, që e siguroi kalimin në mesin e 16 më të mirëve herët pas dy fitoreve në dy ndeshjet e para, do të luajë me ndryshime rrënjësore. Trajneri Roberto Mancini e ka ndërruar tërë ekipin, përveç portierit Gigi Donnarumma, mbrojtësit Leonardo Bonucci dhe mesfushorit Jorginho.