Xhani De Biazi është trajneri që arriti të kualifikonte Shqipërinë për herë të parë në histori në një kompeticion magjik si Europiani. Tekniku italian, ishte i ftuar special i emisionit “EUROMANIA” të moderatores Enxhi Biba, në televizionin “News 24”. Në një lidhje live në “Skype”, nga Azerbajxhani, De Biazi, bëri një analizë në lidhje me Kampionatin Europian. 64-vjeçari e mbylli prononcimin e tij me një koment për incidentin dramatik të futbollistit Eriksen, duke u shprehur:
TË MUNGON EUROPIANI? Do të ishte mirë që unë të isha prapë atje, të merrnim pjesë, por fati e solli kështu. KË SHIKONI FAVORITE NË EUROPIAN? Është e vështirë të thuash. Surprizat janë që asnjë nuk mund të bëjë parashikime. E vetmja gjë e bukur që kemi parë deri tani ishte ndeshja midis Holandës dhe Ukrainës.
TIFO PËR ITALINË? Shpresoj që Italia të shkojë deri në finale, e kam thënë dhe herët e tjera. Italia ka bërë shumë mirë gjatë kësaj periudhe dhe starti ka qenë thuajse perfekt.
SI IU DUKET ITALIA ME MANCININ NË STOL? Më mirë se kështu nuk mund të kishte bërë. Ka krijuar një grup shumë të fortë me të rinj shumë cilësor që luajnë me skuadra të rëndësishme në Itali dhe jo vetëm.
CILI LOJTAR MUND TË BËJË DIFERENCËN TE ITALIA? Gjithmonë kur flitet për diferencën flitet gjithmonë për sulmuesit. Mund ta bëjë diferencën Imobile, Insinje, por ka dhe të tjerë. Mesfusha është zemra e kësaj Italie.
DO TA SHIKOJMË ITALINË NË FINALE? Besoj se po. E thashë edhe më parë. Italia, së bashku me Belgjikën, Francën dhe Anglia, mund të shkojnë në finale.
DEBUTIMI I ANGLISË- Fitoi kjo ka rëndësi në fund të ndeshjes. Anglia është skuadër shumë e mirë, por në kompeticione të rëndësishme, nuk arrin të shkojë deri në fund, nuk e shpreh të gjithë potencialin në fushë, edhe pse ka lojtarë shumë të mirë në përbërje.
PRITSHMRITË PËR FRANCËN- Franca për fat të keq, ka një grup shumë të fortë me Gjermaninë, Portugalinë dhe Hungarinë, në qoftë se ia del, mund të shkojë deri në fund. Ka një grup shumë të fortë. Ndeshja e të martës do të jetë shumë e vështirë, shorti vuri përballë Francën dhe Gjermaninë. Mendoj që 3 skuadrat mund ta fitojnë Europianin, Franca, Italia dhe Anglia.
EPISODI ME ERIKSEN- Mendova atë që keni menduar të gjithë. Për fat të mirë, falë ndërhyrjes së shpejtë mjekësore, arritën ta shpëtojnë. Gjithë shpresat janë që ai të rikthehet sa më shpejtë dhe të bëjë një jetë normale.