Stephan Lichtsteiner mund të kishte qëndruar i lidhur me futbollin gjithmonë, pas një karriere të mbushur me suksese që e mbylli në vitin 2020.
Ish-futbollisti i Grasshoppers, Lille, Lazio, Juventus, Arsenal dhe Augusta, ka fituar 7 tituj kampion radhazi në Serinë A, duke u bërë i huaji me më shumë tituj të fituar në Itali. Me bardhezinjtë, zvicerani ngriti edhe 5 Kupa Italie dhe 4 Superkupa Italie.
Edhe me Zvicrën shkëlqeu, duke luajtur 108 ndeshje dhe duke ushtruar detyrën e kapitenit të skuadrës nga viti 2016 deri në vitin 2019. Ai mori pjesë në 3 botërorë (2010, 2014 dhe 2018) dhe 2 evropianë (2008 dhe 2016).
Por, ish-mbrojtësi vendosi që ta braktiste plotësisht futbollin dhe t’i përkushtohej një tjetër profesioni: Lichtsteiner ka vendosur që të bëhet orëndreqës. Në një intervistë për “20 minuten”, ai u shpreh: “Orët më kanë mahnitur gjithmonë dhe tani dua t’i përkushtohem atyre.
Po mësoj se si funksionojnë dhe se si t’i zbërthej. Nuk ka shumë ndryshim mes një mbrojtësi dhe një orëndreqësi. Të mbrosh është art, por edhe të rregullosh orët është art. Në të dyja këto profesione, detajet janë shumë të rëndësishme”.