Linda Rama, aktivistja dhe intelektualja e angazhuar, e cila prej 11 vitesh qëndron krah kryeministrit Edi Rama shpalosi përballë gazetares Ilva Tare në Euronews Albania dinamikat e jetës në arenën e ashpër politike në Shqipëri dhe sfidat e saj në karrierë e familje. E pyetur lidhur me zgjedhjen për t’i qëmtuar daljet e saj në jetën publike dhe për të qëndruar larg daljeve të shpeshta, znj. Rama shpjegoi se kjo ishte një zgjedhje e qëllimshme dhe e menduar. “Kam qenë më vizibël deri në momentin kur u martova me Edin dhe fillova të jetoja me të. Profesionalisht gjithmonë flas, kam qenë shumë më aktive, por gjithsesi mu desh që të modifikoja diçka në të gjithë qasjen e shpalosjes në publik. Edhe me audiencat, jo domosdoshmërisht në publik por në audienca sepse ti në momentin që jeton me një politikan sigurisht mund të trajtosh me audiencë profesionin tënd, por ka të ngjarë që lajmi në fakt të jetë i lidhur me pjesën publike të aaj që ti je,” u shpreh znj. Rama.

“Për ta shmangur këtë lloj keqkuptimi por edhe për të respektuar vullnetin e njerëzve, sepse kjo është e vërteta, ata kanë zgjedhur Edin për të qenë protagonist, ata kanë zgjedhur Edin për t’i eksperimentuar të gjitha format e tij dhe Edi është shumë më i dobishëm në këtë aspekt për njerëzit kështu që unë kam dashur që t’ja le këtë arenë Edit dhe këtë kam bërë,” shtoi ajo.

Intelektualja shtoi se ka zgjedhur të përdorë rrjetin social Twitter si të vetmen platformë sociale për të komunikuar me publikun në rastet që ajo sheh si të volitshme. Megjithatë sipas Linda Ramës klima politike dhe publike që rrethon familjen kryeministrore shpeshherë mund të jetë sfiduese, pavarësisht përgatitjes mendore që shumë sulme do të vijnë nga kundërshtarët politikë. “Në momentin që unë kam filluar të jetoj me Edin, jam martuar me Edin në vitin 2010 dhe dihet që në atë periudhë për disa vite Edi ishte në fokus të shumë sulmeve dhe shumë akuzave të cilat në fakt, ndonjëherë merrnin dhe trajta të paimagjinueshme duke sakrifikuar, duke mos marrë parasysh as gra, as të vdekur dhe as fëmijë. Kjo ishte klima dhe unë kisha vendosur, e dija që kisha vendosur të lidhja jetën me një njëri me vokacion shumë të qartë politik dhe ndërkohë një njeri i cili kishte pretendimin dhe ambicien për tu bërë kryeministri i Shqipërisë,” deklaron znj. Rama.

Lidhur me përjetimin emocional të këtyre sulmeve, në një rrëfim përballë Ilva Tares, znj. Rama tregon se “ishte si një breshëri, të jetoje si në breshëri, që jo në pak raste pasohej nga një mërzi e madhe”. Duke qëndruar krah kryeministrit socialist Edi Rama, bashkëshortja e tij tregon se pavarësisht eksperiencës shumëvjeçare në përballimin e këtyre sulmeve, Rama vetë shqetësohej thellësisht për pasojat që ato linin tek njerëzit e afërt që nuk kishin zgjedhur politikën.