Komuniteti i Emigrantëve në Greqi ka reaguar dhe është shprehur i tronditur, pas zbulimit se Charalmabos ishte vrasësi i Carolines.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Komuniteti i Emigrantëve në Greqi shprehet se mediat greke nuk humbën aspak shansin të kultivojnë me vullnet stereotipin e “kriminelit të huaj, emigrant”, akte që nxisin urrejtjen dhe racizmin në shoqërinë greke.
Përmes deklaratës së tyre ata kanë kërkuar që mediat greke të kërkojë falje në publik për shpifje dhe manipulim të përsëritur, duke shfrytëzuar shqiptarët në Greqi, me propagandë të vazhdueshme, pa asnjë bazë apo informacion zyrtar.
“Le të mos kultivojmë urrejtjen në shoqërinë tonë që është dëmtuar mjaft, por ku mund dhe duhet të bashkëjetojmë të gjithë harmonikisht. Le të jemi të bashkuar kundër çdo forme dhune, sulmi ndaj të pafajshmit e vulnerabëlit, akti kriminal, për një të nesërme më të begatë për të gjithë!”, shkruhet në fund të postimit.