Është një hap i rëndësishëm drejt futjes së një tarife fiskale botërore prej të paktën 15% lidhur me të ardhurat e shumëkombësheve dhe, më në përgjithësi, të një regjimi fiskal të përshtatshëm për shekullin e XXI, globalizimin dhe ekonominë dixhitale. Më 5 qershor, në përfundim të negociatave dyditore, ministrat e Financave të G7 – grupit të 7 fuqive kryesore ekonomike botërore (Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Franca, Italia dhe Japonia) – kanë shprehur “mbështetjen e fuqishme” ndaj një “takse minimale botërore”. Në qendër të negociatave ka qenë edhe ndarja e “barabartë” midis vendeve të Veriut dhe atyre të Jugut e të “drejtave të taksimit” ndaj fitimit të korporatave të mëdha. Faktikisht, në komunikatën finale të tyre ministrat kanë saktësuar se “vendet në të cilat veprojnë shumëkombëshet do të kenë të drejtën e vendosjes së taksave me të paktën 29% ndaj të ardhurave më të larta me 10% e të hyrave për shumëkombëshet më fitimprurëse”. Në vijim do të vendosen disa përjashtime të përcaktuara si “të duhura”, për shembull ato lidhur me sektorin minerar.

Ministrat e Financave kanë shprehur mbështetje unanime ndaj projektit të reformës së fiskalitetit botëror të hedhur dy vite më parë nga Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik (OCSE). Kompromisi i arritur në Londër nuk është vetëm simboli i një multilateralizmi të rigjetur pas shkëputjes së viteve të Donald Trump, por edhe premtimi për një marrëveshje më të gjerë në pritje të samitit të Ministrave të Financave të G20 i parashikuar për tu mbajtur më 9 dhe 10 korrik në Venezia, ku do të luhet vërtet e ardhmja e kësaj reforme. Finalizimi i projektit do të diskutohet paraprakisht më 30 qershor dhe 1 korrik në aspektin e kuadrit përfshirës të OCSE lidhur me BEPS (Base Erosion and Profit Shifting), plani i veprimit për të luftuar shmangien fiskale ndërkombëtare që përfshin 139 vende. G7 propozon të përqëndrohet reforma ndaj 100 shumëkombësheve më të mëdha e më fitimprurëse, siç është paralajmëruar tashmë nga administrata amerikane.

Nga fjalët e peshuara me kujdes shumë të madh të komunikatës finale të Ministrave të Financave shfaqet vullneti politik për të futur një kriter barazie në sistemin fiskal ndërkombëtar, vullnet i rigjallëruar nga zgjedhja e demokratit Joe Biden si president i Shteteve të Bashkuara. Me fjalë të thjeshta, kemi të bëjmë me mundësinë konkrete për qeveritë, që pas vitesh pafuqishmërie të rimarrin kontrollin e fitimeve të delokalizuara në parajsat fiskale nga kolosët e industrisë e të shërbimeve dhe nga ato teknologjike, të ashtuquajturat GAFA (Google, Apple, Facebook dhe Amazon).
Sipas klogarive të bëra duke u nisur nga të dhënat e OCSE, sot rreth 30% e fitimeve të shumëkombësheve amerikane taksohet jashtë vendit, kundrejt 5% të viteve Nëntëdhjetë. “Mobiliteti ndërkombëtar i kapitaleve dhe spostimi i fitimeve kanë shkaktuar një reduktim të fortë të taksave të paguara nga shumëkombëshet në të gjithë botën”, ka shpjeguar Observatori Fiskal i Bashkimit Europian në një studim të botuar më 2 qershor. “Ky evolucion, që u mundëson disa kolosëve të paguajnë taksa shumë të ulëta, rrezikon që të mos jetë më i mbështetshëm as nga një pikëpamje politike, as nga një pikëpamje ekonomike”.

Posti në lojë financiar i kësaj reforme fiskale është i madh. Nëse do të futej një normë fiskale minimale prej 15% në kuadër të një projekti të negociiuar nën udhëheqjen e OCSE, çdo vit në arkat e shteteve mund të futen deri në 150 miliard dollarë (123.5 miliard euro). Efekti “zero taksa” i ofruar nga parajsa fiskale si Ishujt Cayman, British Virgin Island apo ato të ishujve Jersey dhe Guernesey në fakt do të neutralizohej, pasi shtetet do të merrnin diferencën midis taksave të paguara jashtë vendit nga kompanitë dhe taksës prej 15% që këto do të duhej të derdhnin në vendin e tyre.

Sipas një simulimi të botuar nga Observatori Fiskal i Bashkimit Europian, një taksë prej 15% do t’u mundësonte qeverive të Bashkimit Europian të mblidhnin 50 miliard euro taksa më shumë në 2021, ekuivalentin prej 7% e shpenzimeve shëndetësore të tyre. Fitimet do të dyfishoheshin në rast se taksa do të duhej të ngjitej në 21%. Pa reformë, në vitin 2021 të ardhurat që burojnë nga taksat mbi fitimet kapital të Bashkimit Europian do të duhej të arrinin në 340 miliard euro. Taksa minimale është një prej dy shtyllave të projektit të OCSE. Kurse tjetra është rishikimi total i rregullave për të arritur në një ndarje globale më të barabartë e të drejtave të taksimit midis vendeve ku shumëkombëshet kanë selinë e tyre dhe ato ku kanë tregjet dhe klientet. Sipas OCSE, kjo pjesë tjetër e reformës do të garantojë një bazë të taksueshme shtesë prej 100 miliard dollarësh në vit.

Në Londër, Shtetet e Bashkuara donin heqjen e taksave të vendosura kolosëve dixhitalë në Francë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Itali, në shkëmbim tl një komunikate me impenjime të sakta e të detajuara, por Parisi e ka kunërshtuar. E ashtuquajtura taksë GAFA (apo digital tax) i sjell çdo vit 400 milion euro Francës, që nuk do të duhej të revokohej përpara hyrjes në fuqi të reformës në nivel botëror, domethënë jo përpara 2 viteve. Në këtë projekt, tashmë i mbështetur edhe nga G7, janë në lojë qindra miliarda të ardhura fiskale të reja, absolutisht të nevojshme pas krizës shëndetësore dhe ekonomike të lidhur me Covid-19, që ka vënë në vështirësi financat publike e të gjitha vendeve. Faktikisht, pandemia i ka përshpejtuar negociatat. “Kolosët dixhitalë kanë përfituar nga një koniukturë ekonomike shumë e favorshme gjatë krizës falë zhvillimit të tregëtisë online”, nënvizon një komunikatë e Ministrisë së Ekonomisë franceze.

“Tani, me mobilizimin e tyre, shtetet dëshmojnë një vetëdijësim ndërkombëtar lidhur me nevojën për të luftuar më me vendosmëri shmangien e fitimeve kapital”. Në muajin prill Fondi Monetar Ndërkombëtar kishte sugjeruar të krijohej deri një taksë e jashtëzakonshme lidhur me pasuritë ose mbi fitimet e kompanive për të financuar shpenzimet lidhur me Covid-19 dhe njëkohësisht kishte apeluar për “një reformë të taksimit ndërkombëtar të pajisur me një barazi më të madhe”. Sipas llogaritjeve të institutit, në 2020 vendet e avancuara kanë shpenzuar ekuivalentin e 6% të PBB të tyre për të ndihmuar ekonomitë e tyre, duke e rritur deficitin e bilancit të përgjithshëm të tyre deri në 11.7% të PBB.

Avantazhet politike e kësaj reforme janë të shumtë: administrata Biden mund ta shfrytëzojë për ta miratuar në Kongresin e Shteteve të Bahskuara reformën e saj fiskale; treshja europiane e formuar nga Franca, Gjermania dhe Italia arrin më së fundi të taksojë kë ka fituar me krizën dhe grupin e kompanive të mëdha teknologjike; Mbretëria e Bashkuar vendoset në një pozicion të favorshëm për të negociiuar marrëveshjen e saj tregëtare pasBrexit me Shtetet e Bashkuara. “Marrëveshja e G7 lidhur me fiskalitetin demonstron se është perëndimi ai që përcakton rregullat e shekullit të XXI”, nënvizojnë bashkëpunëtorët e ministrit francez të Ekonomisë Bruno Le Maire në referim të rritjes së fuqisë kineze.

Në realitet, semafori jeshil i G7 është vetëm një rampë lëshimi drejt një marrëveshjeje ndërkombëtare, pasi duhen bërë traktativa lidhur me shumë pika dhe sidomos mbi ndarjen midis vendeve të ndryshme të fitimeve tl shumëkombësheve subjekte të taksimit apo mbi përjashtimet eventuale për disa sektorë. Veç kësaj, ende duhen bindur vendet kundër reformës, si Irlanda, jashtëzakonisht xheloze për taksën e saj konkurruese prej 12.5% mbi të ardhurat e kompanive, dhe qeverive të ndryshme që duan të ruajnë përjashtimet e tyre fiskale. Disa vende në rrugën e zhvillimit do të donin të futeshin në reformë një numër më i madh kompanishë. Se fundi, shtetet do të duhej të binin dakord lidhur me heqjen e taksimeve kombëtare lidhur me kompanitë e mëdha teknologjike. “Reforma e fiskalitetit ndërkombëtar duhet të ndodhë tani ose nuk do të ndodhë kurrë. Sikur të mos e kishim arritur një marrëveshje në G7, do të kishim rrezikuar ta humbisnim këtë rast”, ka konkluduar Le Maire.

(nga Le Monde)

Përgatiti për TemA, ARMIN TIRANA