Organizata Botërore e Shëndetësisë parashikon që njerëzit më të rrezikuar nga Covid-19, si të moshuarit për shembull, do duhet që të vaksinohen çdo vit për të qenë të mbrojtur nga variantet e virusit.
Vlerësimi në fjalë është i përfshirë në një raport, që do të diskutohet sot në mbledhjen e bordit të Gavi, aleanca e vaksinave që bashkëdrejton mekanizmin Covax. Megjithatë, ky parashikim mund të pësojë ndryshime dhe vjen bashkë me dy skenarë më “pak dramatikë.”
Prodhues të vaksinave si Moderna apo Pfizer dhe BioNTech kanë bërë të ditur prej kohësh tashmë që në të ardhmen do të duhen doza vjetore për të mbajtur nivele të larta të imunitetit.
Në dokumentin, i cili mban datën 8 qershor dhe mbetet ende i papërfunduar, parashikohet që të paktën 12 miliardë doza vaksinash Covid-19 mund të prodhohen globalisht vitin tjetër. Nuk është caktuar ende se cilat teknologji mund të hiqen gradualisht, por BE, e cila ka rezervuar vëllimin më të madh në botë të vaksinave, e ka vënë besimin tek ato të prodhuara me ARN-në mesanxhere si Pfizer dhe Moderna.