Kina ka fituar luftën kundër malaries, një sëmundje infektive, deklaroi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e cila njoftoi se vendi më i populluar në botë është shpallur zyrtarisht pa malarie.

“Sot ne përgëzojmë popullin kinez për çlirimin e vendit nga malaria”, tha në një deklaratë drejtori i përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Suksesi i tyre erdhi vetëm pas dekadash veprimesh të përqendruara dhe të qëndrueshme. Me këtë njoftim, Kina bashkohet me numrin në rritje të vendeve që po i demonstrojnë botës një të ardhme pa malarie”, theksoi ai.

Deri më tani, sipas OBSH-së, rreth 40 vende kanë fituar zyrtarisht luftën kundër malaries.

Kina është vendi i parë në 30 vjet që ka arritur këtë përparim në rajonin e Paqësorit Perëndimor.