Numri i spektatorëve në Lojërat Olimpike të Tokios 2020 do të jetë 50 për qind më i ulët sesa kapaciteti total. Organizatorët thanë sot se numri maksimal i spektatorëve në çdo mjedis sportiv do të jetë 10 mijë. Disa ditë më parë ekspertët e shëndetësisë kishin thënë se mënyra më e sigurtë ishte zhvillimi i lojrave pa spektatorë. Organizatorët e Olimpiadës thanë sot senumri i spektaktorëve për çdo mjedis ku zhvillohen Lojërat Olimpike Tokio 2020, do të jetë jo më shumë se10 mijë, disa ditë pasi ekspertët paralajmëruan se zhvillimi i garave pa tifozë është mundësia më e mirë për të parandaluar rrezikun e përhapjes së COVID-19.
Njoftimi i sotëm pasqyron vendosmërinë e Japonisë për t’i zhvilluar Lojrat që kanë kushtuar miliarda dollarë, pavarësisht kundërshtimit të publikut dhe shqetësimeve serioze për përhapjen e infektimeve me koroanvirus. “Mendoj se qeveria mori vendimin duke u bazuar në ndikimin ekonomik. Por familjarët e mi në sektorin e shëndetësisë janë në situatë shumë të vështirë. Fakti që thirrjet e ekspertëve mjekësorë nuk u morën pasarysh është për të të ardhur keq”, thotë Kanako Morisaki, banore e Tokios. “Sinqerisht, me këtë pandemi, kam frikë nga tubimet e njerëzve. Personalisht mendoj se numri i spektatorëve nuk ka rëndësi. Mendoj se pa shikues është më mirë”, thotë Mizuka Ueda, banore e Tokios. “Është ngjarje botërore, mbajtja e së cilës pa spektatorë është e diskutueshme. Nëse do të mbahet, spektatorët duhet të lejohen”, thotë Keisuke Shimokawa.
Japonia arriti të shmangte shpërthimet e infeksioneve që goditën rëndë vendet e tjera, por fushata e vaksinimit ka qenë e ngadaltë ndërsa sistemi shëndetësor në disa zona është tej-ngarkuar me pacientë me Covid, duke iu afruarkapacitetit maksimal. Kufizimi për Lojërat, të cilat janë planifikuar të fillojnë më 23 korrik, është vendosur në 50 për qind të kapacitetit të mjesiseve thotë Presidentja e Lojrave Olimpike të Tokios Seiko Hashimoto. “Meqenëse sot kemi vendosur kapacitetin e spektatorëve, duhet përsëritur llotaria për shitje të përgjithshme të biletave. Ju kërkoj falje blerësve të biletave që prisnin me padurim ngjarjen. Më thyhet zemra por ju lus për mirëkuptim”, tha ajo.
Kufizimi mund të ndyshojë edhe më tej pas 12 korrikut, varësisht nga gjendja dhe masat kundër infeksionit, shtuan organizatorët. Spektaktorët nga vende të huaja tashmë janë ndaluar.Vendimi vjen pas bisedimeve pesë-palëshe mes organizatorëve të Tokios, qeverisë japoneze, udhëheqjes së kryeqytetit dhe paneleve ndërkombëtare olimpike dhe paraolimpike.