Nga Philip Stephens, The Financial Times/
Dikur ishte një politolog amerikan, ai që popullarizoi idenë se fundi i Luftës së Ftohtë, shënoi fitoren përfundimtare të demokracisë liberale. Tre dekada më vonë, Gjermania është e vetme në mbështetjen e tezës së “fundit të historisë” së Francis Fukuyama.
Largimi i kancelares Angela Merkel në shtator, mund të jetë momenti kur Berlini mund të shkëputet nga shpresat e djeshme të mbështetura në mënyre naive dhe të atashohet pranë të vërtetave të sotme që janë të hidhura. Por shenjat nuk janë inkurajuese.
Pasi ka marrë bekimin e kancelares, Armin Laschet është pretendenti kryesor për ta pasuar atë pas zgjedhjeve parlamentare të shtatorit. Këtë javë ai shpalosi vizionin e kristiademokratëve për të ardhmen. Ambiciet e mëdha të Kinës për pushtet global, dhe revanshizmi i Rusisë, mund ta kenë prishur rendin e pas Luftës së Ftohtë, por përgjigjja e Laschet përmblidhet më së miri se situata është e qëndrueshme.
Për çështjet e mëdha, ai i tha Financial Times, se nuk ishte ndarë kurrë nga qasja gjithnjë e kujdesshme e Merkel. Nga ana tjetër, Laschet e pranoi se agresiviteti i pareshtur i Kinës së Xi Jinping, e detyroi Evropën ta përcaktojë atë një rivale sistematike.
Dhe sigurisht që edhe përdorimi i forcës ushtarake nga Rusia për të rishikuar kufijtë e Evropës përmes aneksimit të Krimesë kishte qenë “i papranueshëm”. Por a dëshironte vërtet Evropa ta bënte Pekinin një “kundërshtar të ri” të sajin? Sa i përket përbuzjes së Putinit për rendin liberal, Laschet thotë se Perëndimi duhet të kërkojë pasjen e një marrëdhënie të ndjeshme me Moskën.
Merkel bashkë me presidentin francez Emmanuel Macron, po propozojnë lidhje
më të ngushta BE-Rusi. Një cinik do të thoshte se Laschet thjesht ka përqafuar merkantilizmin,qasje që shumë shpesh e ka zbutur retorikën e vrullshme të Merkel rreth vlerave demokratike.
Kina është tregu më i vlefshëm i eksporteve gjermane, dhe gazsjellësi i ri “Nord Stream 2” do të garantojë së shpejti nevojat e energjisë së Gjermanisë përmes furnizimeve direkte me gazin rus. Një interpretim më i mirë, mund të kundërshtojë pretendimin që Perëndimi duhet të vendosë një lloj ekuilibri në marrëdhëniet e tij me autokratët.
Dikush duhet t`i mbajë nën kontroll skifterët në Uashington. Të thuash se demokracitë duhet të kapen fort pas një sistemi ndërkombëtar të hapur, të bazuar në rregulla, nuk do të thotë se është e arsyeshme që të nxitosh të hysh në një luftë të ftohtë me Kinën dhe përballjen me Rusinë.
Ka shumë gjasa që qëndrimi i Laschet të ndërthurë si respektin për biznesin, po ashtu edhe kujdesin e arsyeshëm që kërkon vetëpërmbajtje. Por ekziston edhe një element i tretë. Ai po i thotë elektoratit atë që dëshiron të dëgjojë. Ai e njeh hezitimin e madh të votuesve për ta parë botën siç është,dhe më shumë si do të donin që të ishte.
Pak njerëz e kanë përkufizuar më mirë këtë qasje se sa diplomati gjerman Thomas Bagger, kur ai vërejti se fundi i historisë ishte një ide amerikane që u bë një realitet gjerman. Disa vjet më parë Bagger, sot këshilltar i presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier, botoi një ese
në Washington Quarterly, duke ofruar analizën përfundimtare të botëkuptimit gjerman të pas Luftës së Ftohtë.
Rënia e Murit të Berlinit thuhet aty, solli më shumë sesa ribashkimin e vendit. Në fundin e një shekulli në të cilin Gjermania kishte qenë dy herë në anën e gabuar të historisë, fitorja e demokracisë liberale e vendosi atë në anën e duhur.
Sipas fjalëve të kancelarit të atëhershëm Helmut Kohl, Gjermania rrethohej për herë të parë nga vende mike. Për më tepër, ajo ishte në qendër të një Evrope të integruar, e cila ishte e destinuar të shërbente si një model për pjesën tjetër të botës. Mund të duhet kohë, por Rusia, Kina dhe të tjerët në fund do të bashkohen në një aleancë.
Ky “moment gjerman” ka kaluar, por pas tmerreve të nazizmit, nuk është për t’u habitur pse kaq shumë gjermanë duan që të mbeten të kapur pas tij. Ulrike Franke, një studiuese e re në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme, ka ofruar një shpjegim elegant se si ai moment ka bllokuar brezin e ri.
“Bota e jashtëzakonshme në të cilën u rritëm ishte normaliteti ynë”- shkroi ajo së fundmi në thinj-tankun “War on the Rocks”. “Idetë që ishin zhvilluar që nga viti 1989 ishin bindjet tona. Tani që është rikthyer gjeopolitika, dhe veçanërisht politika e pushtetit gjeopolitik, ne kemi humbur”- shtoi ajo.
Brezi i Bagger kishte adoptuar frymën e vitit 1989, por “ne (të brezit të mijëvjeçarit të ri) kemi lindur dhe jemi modeluar prej tij”.Zbehja e kësaj mendësie nuk do të jetë e lehtë, aq më tepër që përshtatet në mënyrë më komode me interesa ekonomike egoiste.
Çuditërisht, partia tradicionalisht pacifiste e të Gjelbërve, ka qenë më e zëshmja në kundërvënien ndaj sfidës së Kinës së XI dhe Rusisë së Putinit. Dhe të Gjelbrit janë gjithashtu sfidantët më të fortë të kristiandemokratëve të Laschet. Të dyja partitë mund të përfundojnë në një koalicion të përbashkët qeverisës.
Cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve, pasardhësi i Merkel do ta ketë të vështirë për të mbajtur dhe mbështetur atë që Franke e quan ndjenjën e epërsisë morale, e cila lindi nga një refuzim i gjeopolitikës tradicionale. Ajo ëndërr ishte e admirueshme, por Gjermania nuk mund ta bëjë atë realitet. /Përktheu: Alket Goce-abc/