Nga Plator Nesturi/ Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar dje kërkesën e PD dhe LSI për përsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Fierit. Edhe më parë ishin rrëzuar paditë e opozitës për qarqet Vlorë, Gjirokastër e Berat. Pretendimi ishte i njëjtë se para, gjatë dhe pas zgjedhjeve ka patur parregullsi. Gjithsesi kjo kërkesë është rrëzuar nga Kolegji, e cila la në fuqi vendimin e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS). Normalisht kjo çështje duhej të ish mbyllur prej kohësh dhe tashmë KQZ duhej të kish dhënë vendimin zyrtar e përmbyllës për rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit.

Por fushata e brendshme imponoi që qëndrimi zyrtar i PD të vihej në funksion të rizgjedhjes së Bashës për ta mbajtur të shtyrë me sa mundësi në kohë imazhin e humbësit. Kjo duket dhe në rënien e nivelit të përfaqësimit juridik të PD gjatë gjykimit nga Kolegji Zgjedhor për paditë e kryera. Grupi i dikurshëm i juristëve me çanta të fryra ka përfunduar vetëm tek një përfaqësues i vetëm si Logu. Dhe çafrë është më interesantja, në deklaratat e tij pas vendimit, ndërsa shpreh pakënaqësinë në emër të PD-së, nuk gjen asnjë diskut juridik e që ka lidhje me çështjet por vetëm fjalim politik. Se çfarë ka juridike në deklaratë kur thotë se “regjimi Rama- Doshi ka tjerërsuar vullnetin e shqiptarëve në 25 prill” këtë nuk e di, por kjo lloj ligjërate është gjatë gjithë daljes së tij mediatike.

Thjesht përmendet se janë paraqitur qindra prova por se çfarë janë ato, ndoshta dhe ai ka turp ti përmendë se a hyjnë në kategorine e provave. Gjithsesi Logu pasi e quan të paprecedentë vendimin e Kolegjit dhe qëndrimin e anëtarëve të saj të frikësuar nga “dora e zezë”, hedh goxha sfidë qesharake kur thotë se çështjen do ta çojë në Strasburg. Nuk di a është konsultuar me më të mëdhenj në PD për këtë shashkë por si këshillë për drejtuesit e rinj të PD që janë lodhur nga zgjedhjet e kryetarit, të kenë më kujdes se kë vënë para kamerave dhe më kontroll se çfarë thonë. Kryetari tashmë e mori provimin për mandatin e tretë dhe në qetësinë e tanishme mund ta rrotullojë pa merak timonin e anijes së PD, për të dalë nga tallazi i deklaratave të zhurmshme tek ujëra më të cekëta. Dhe kushdo që mendon vërtet se do vijojë të këndohet kënga se zgjedhjet u manipuluan, do të zhgënjehet shpejt.