Nga Mero Baze
Pashë dje një postim të kandidatit për kryetar të Partisë Demokratike, Agron Shehaj, që njoftonte gjithë ndrojtje, se kishte takuar ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.
Përveç drojës së Shehaj, që dukej sikur kishte bërë një gabim që shpresonte t’ia falnin, mund të lexoni lirshëm poshtë gjithë komentet e anëtarëve të Partisë Demokratike që e linçojnë atë pse ka takuar ambasadoren Yuri Kim.
Thuajse 90 për qind e tyre e konsiderojnë këtë tradhti ndaj PD dhe Sali Berishës. Në këtë valle pastaj u përfshi dhe vetë shtypi i familjes Berisha.
Ishte diçka e frikshme, që nuk ka ndodhur më parë në Shqipëri.
Një parti, e cila pretendon të marrë pushtetin në Shqipëri, është rreshtuar pas njeriut të shpallur “non grata” nga SHBA dhe linçon çdokënd që dyshon se ka lidhje me shtetin amerikan.
Dhe nuk e kanë si keqkuptim. Duket se atë e kanë si bindje.
Tridhjetë vjet pas rrëzimit të komunizmit, partia që ka meritën historike të përmbysjes së komunizmit dhe rikthimit të SHBA si aleat i madh i Shqipërisë, sot është një parti e ngjashme me Hamas, e cila është gati të linçojë çdokënd që konsiderohet udhëheqës normal nga SHBA.
Është një histeri e nxitur nga Sali Berisha, i cili po tenton ta marrë atë parti me vete, duke e kthyer në një grup njerëzish të dëshpëruar me SHBA dhe të vendosur kundër çdokujt që kërkon marrëdhënie normale me SHBA.
Është një frymë që e çon atë parti në koshin e plehrave të historisë, bashkë me “liderin historik” të saj.
Këtë gjë mund ta verifikoni vetë, duke parë ato komente apo çdo vërsulje online që i bëjnë ambasadores së SHBA në Tiranë, në kryeqytetin e vendit më pro-amerikan në Ballkan.
As në Serbi, ambasadori i SHBA nuk sulmohet me këtë gjuhë, megjithëse SHBA ka qenë udhëheqësja e fushatës ajrore të bombardimeve kundër tyre, për shkak të Kosovës.
Por nga ana tjetër, i gjithë ky imazh është spekulativ dhe jo i vërtetë. Partia Demokratike ka bazën e saj idelogjike pro Perëndimit, pasi ajo mbështetet tek një klasë të persekutuarish, të cilët kanë parë tek SHBA të vetmen shpresë për të shpëtuar nga komunizmi.
Problemi është që ata tani duhet të shikojnë tek SHBA të vetmen shpresë për të shpëtuar nga berishizmi, dhe jo berishizmin, si të vetmen shpresë për të shpëtuar nga SHBA.
SHBA as nuk mundet dhe as nuk tërhiqet nga politika e saj pro Shqipërisë. Për këtë shkak, mendoj se ky moment është historik, jo si trishtim për atë ku po shkon PD, por si shpresë për të ndryshuar rrënjësisht Partia Demokratike dhe qasja e saj ndaj Sali Berishës.
Agron Shehaj ka rastin t’u përgjigjet atyre njerëzve të dëshpëruar, duke ua bërë të qartë se për interesin e Shqipërisë dhe Partisë Demokratike, ai do zgjedhë SHBA para Berishës.
E di që do ta linçojnë sërish, e di që nuk do të fitojë më 13 qershor, dhe sikur të dalë në foto përditë me Berishën, por është mirë të humbasë përballë një hordhie histerike anti-amerikane, që të fitojë PD e nesërme dhe të ngjallë shpresë tek ata njerëz të dëshpëruar, që ta kuptojnë se SHBA nuk ka asgjë me PD, por përkundrazi, do që ta ringrejë atë parti politike në këmbë si forcë perëndimore, ashtu siç është krijuar. Dhe do ta bëj këtë, në mos me Shehaj dhe të tjerët, me dikë pas tyre.
Nuk ka rast më të mirë se ky shpërthim histerik, për t’u përballur me këtë sfidë. Heshtja e Lulzim Bashës dhe kandidatëve të tjerë ndaj kësaj histerie anti-amerikane, e ka çuar PD-në nën nivelin e shoqërisë palestineze, ku nga njëra anë është Hamasi, dhe nga ata tjetër “Fatah’-u, i cili bashkëpunon dhe me SHBA.
Aktualisht liderët që konkurrojnë për kreun e PD më ngjajnë me këta liderët e “Fatah”-ut, që duan të jenë me SHBA, po kanë frikë nga Hamasi.
Është momenti kur ata duhet të shpëtojnë PD-në nga pengmarrja e Sali Berishës dhe t’i rikthejnë asaj dinjitetin si një parti pro-perëndimore.
Tani nuk bëjnë dot sikur janë edhe me Berishën, edhe me SHBA. Berisha është më i ndershëm se ata. Ai është gati të pushkatojë politikisht çdokënd që është me SHBA. Lexoni komentet tek postimi i Agron Shehajt, ta kuptoni se ku po e çon partinë.