Nga sot, qarkullimi i automjeteve në aksin Vlorë-Orikum është kthyer në normalitet. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ishte sot e pranishme në këtë aks, ku pa nga afër vijimin e punimeve, ndërsa tha se punimet për rehabilitimin e rrugës përfunduan brenda 30 ditëve, sikurse ishte premtuar.
Balluku sqaroi se lëvizja e automjeteve do të vijojë në të dyja korsitë deri të dielën, ndërsa të hënë do të përfundojë i gjithë asfaltimi i rrugës.
“Korsia kthehet e plotë, në dy drejtime. Për këtë fundjavë do hapet rruga që të kemi mundësi kalimi nga të dy krahët, vijojnë punime për forcimin e skarpateve, pro e rëndësishme është që do ketë kalim nga të dy krahët në fundjavë, deri të dielën dhe të hënën do përfundojmë të gjithë shtresën asfaltike edhe për krahun tjetër. Kjo ishte një punë që duhej të përfundonte brenda 30 ditëve, është punuar ditën e natën”, tha Balluku.
Sipas Ministres, shkak i rrëshqitjes së rrugës ishin ndërhyrjet e pakontrolluara të hoteleve që operojnë në zonë, ndërsa tha se ndërhyrje të tilla nuk duhet të ndodhin më.
“I gjithë ky proces që u ndoq këtu fatkeqësisht erdhi si pasojë e një ndërhyrje të pakontrolluar nga subjekte të zhvillojnë aktivitet hotelerie në këtë zonë dhe kjo është një gjë që nuk duet të ndodhë më. Këto ndërhyrjet pa leje që bëjnë, duke bërë parkingje në rrugë, këto para janë hedhur këtu vetëm sepse ka patur abuzime nga subjektet që operojnë në këtë zonë. Jemi munduar të zgjidhim problemin, por duke patur kosto që nuk duhet të ndodhin”, shtoi ministrja.