Nga Mero Baze
Sali Berisha poston çdo ditë nga një foto apo video që i kujton vetes kohën kur ishte në pushtet dhe i adhuruar nga turmat. Herë herë gjen fjali patetike të tij, herë fotografi që e autosugjestionojnë, dhe i poston sikur i hakërrehet dikujt që e ka harruar kush është.
Po kujt i hakërrehet?
I hakërrehet Lulzim Bashës?
Ndoshta dhe atij. Por me atë i shkon mundimi kot dhe kur e puth, dhe kur e pështyn. Ai ka vendosur të bëjë sikur nuk ka punë me hallin e Sali Berishës.
Biles përditë bën nga një gjest që ia ngre nervat. Ja për shembull, sot ka bërë një deklaratë të fortë. Ka akuzuar Edi Ramën, se ka emëruar inspektor në policinë ndërtimore të Veriut, një person që mendohet se ka lidhje me Tom Doshin. Dhe duket që nga angazhimi politik ka.
Partia Demokratike ka dalë në konferencë për shtyp dhe akuzon Edi Ramën se po mbështet njerëz të Tom Doshit, që është në listën e zezë të SHBA.
Tani nuk jemi ende të qartë nëse Edi Rama po i bën ndonjë nder Tom Doshit, apo i ka marrë ndonjë mbështetës Tom Doshit, por PD është politikisht korrekte kur kërkon llogari për këtë çështje.
Problemi që ka Partia Demokratike, pra që është inspektori i ndërtimit që ka lidhje me Tom Doshin, është pak a shumë sikur të ankohet Edi Rama që PD po mban në punë Lulzim Bashën, që ka lidhje me Sali Berishën, që është ‘koleg” me Tom Doshin në këtë historinë e listës së zezë, por me akuza më të rënda.
Dhe mendoj se Lulzim Basha e di këtë hall, por bën sikur nuk e ka mendjen dhe bën sikur i flet Ramës, të dëgjojë Berisha.
Ndaj hakërrimi i Saliut është i padobishëm, nëse është ndaj Lulzim Bashës. Edi Rama do ta ketë shumë malore rrugën e qeverisjes këtë mandat, nëse do të tentojë të flirtojë me Tom Doshin, por PD do ta këtë të mbyllur çdo rrugë, nëse mendon se do të bëjë betejë për të mbrojtur Sali Berishën.
Për ironi të fatit, Sali Berishës do t’i duhet të mbrojë Tom Doshin për të mbrojtur veten, dhe në këtë pikë ai duhet të frymëzojë aleancën Rama- Doshi. Por Lulzim Basha duket se është vigjilent, pasi nuk do ta ketë vet atë hall nesër.
Ndaj Berisha i hakërrehet kot me foto e video. Lulzim Basha e di që Berisha mezi mori 1 për qind të votave në kryeqytet, disa herë më pak se djem dhe vajza të reja që askush nuk i ka njohur dy- tri vite më parë. Ndaj nuk impresionohet nga postimet e tij.
E vetmja gjë që mund ta vërë në pozitë të vështirë Bashën, është ajo që ai quan aleanca Rama- Doshi. Ndaj sot i ka çuar fjalë Ramës mos ta vërë në siklet, se nuk ka si e heq qafe Berishën në shtator, nëse ai ben pazare me Doshin.