Nga Alfred Peza/ Shqipëria ia ka dalë që të jetë më në fund, një destinacion i kërkuar jo vetëm për turizmin e brendshëm e të mbarë shqiptarëve që jetojnë e punojnë kudo nëpër botë, por edhe atë rajonal e të disa vendeve të BE dhe rrotull saj. Kurrë më parë në histori, nuk kemi patur këtë imazh për shkak të një stabiliteti gati 25 vjeçar politik të vendit, këto kapacitete akomoduese, cilësi e standarde shërbimi dhe infrastrukturë në mbarë vendin.
Operatorët tanë turistikë kanë shfrytëzuar më së miri mrekullinë e lirisë, duke ia dalë që të bëhen pjesë e kërkesë- ofertës së tregut global, duke shfrytëzuar lëvizjen e lirë dhe lehtësitë e jashtëzakonshme që ofron teknologjia digjitale, interneti e rrjetet sociale për të komunikuar e vendosur kontakte pa kufi e limit me partnerë potencialë dhe klientët e tyre.
Mjafton që të kalosh disa orë në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas e të shohësh fluskin e udhëtarëve dhe charter-ave që ulen e ngrihen papushim, këto ditë pas hapjes nga pandemia e covid-19, për të kuptuar se e gjitha kjo nuk është propogandë. Por një realitet, që e ka shndërruar industrinë e turizmit, në një prej fushave më të kërkuara nga klientët dhe më të lakmueshmet për investime e fitime të konsiderueshme dhe të qëndrueshme.
Ky hop gati- gati me shpërthim në një fushë shërbimesh e argëtimi që i përshtatet temperamentit të shqiptarit dhe kjo prespektivë e shkëlqyer e kolonës kryesore të ekonomisë kombëtare që gjeneron të ardhura deri në 2 miliardë euro në vit, kanë rritur lakminë për fitime të shpejta, pa mund e deri abuzive. Krahas pionierëve të kësaj industrie që kanë 30 vjet që i janë përkushtuar asaj me sakrifica, bizneseve familjare e investitorëve seriozë, pjesë e kësaj industrie janë bërë edhe “të fortë” katundesh e qytetesh.
Më shumë sesa një mënyrë jetese dhe mundësi për investime afatgjata, ata e shohin turizmin si një minierë ari në natyrë për ta shfrytëzuar shpejt dhe barbarisht, si dikur aventurierët e gjithfarësh në perëndimin e largët. Për ta tingëllojnë të huaja rregullat e lojës, ligjësitë e kërkesë- ofertës së tregut, “dora e padukshme e Adam Smithit”, strategjitë sektoriale dhe studimet e fizibilitetit.
Sikundër për ta nuk ekzistojnë as deri edhe rregullat e tjera më elementare të biznesit, që nisin nga mirësjellja, cilësia e shërbimit, trajtimi i klientit si Mbreti, e deri tek fakti se çdokush punon gjithë vitin për ato pak orë, ditë e javë qetësie dhe argëtimi, larg zhurmave dhe stresit. Ato udhëtojnë drejt destinacioneve të administruara nga operatorët e ndryshëm privatë, përfshi edhe prej tyre, për ti dhënë para në këmbim të asaj që u mungon në vendet prej nga vijnë.
E në vend të relaksit, jo rrallëherë klientët kanë marë si shpërblim gënjeshtrat, mashtrimet e vogla e të mëdha, çmimet e çmendura, vrazhdësinë, dhunën, mungesën e kulturës, e deri edukatës elementare qytetare e jo më atë të këtij biznesi delikat. Frymëzues të kësaj fryme, janë pikërisht këta pronarë “të fortë” që kanë hyrë dhunshëm në fushën e shërbimeve e argëtimit, si elefantët në dyqanin e qelqurinave.
Janë pikërisht kjo kategori operatorësh që vijojnë të mbeten mish i huaj, për trupin gjithnjë e në rritje të kësaj industrie në Shqipëri, të cilët në fund të sezoneve turistike ia dalin të prodhojnë më shumë lajme të kronikës së zezë në media sesa gëzim, lumturi, argëtim, antistres për klientët e në fund edhe më pak para për vete e prespektivë për investimet e tyre.
E në vend që të gjitha këto problematika të krijojnë një front të gjerë solidariteti qytetar, për një pasuri kombëtare që më në fund po vjen duke u rritur në këtë vend që deri dje nuk e vizitonte kush, ka një grup tjetër “të frotësh” me facebook e instagram, që në vend të pozitivitetit e konstruktivitetit prodhojnë lloj lloj agresioni e dhune. Këtë radhë jo fizike, por virtuale, duke bërë njëherë hipokritin e njëherë kodoshin. Njëherë “Uriah Heep”-in dhe njëherë tjetër, atë që qan me lotë krokodili, për ca klikime më shumë.
E po ti shohësh me kujdes, ata që kanë kontribuar më shumë për ti stimuluar e gjalluar ndër vite fenomenet negative në turizëm, bëjnë hipokritin më të madh. Duke besuar kësisoj, se do ia dalin që përmes adresimit të negativitetit vetëm politikisht, të manipulojnë mendjet e thjeshta njerëzore për të lartësuar profilet e tyre individuale. Nëse të gjithë do të përpiqeshim pozitivisht, për të identifikuar problemet reale që ka turizmi shqiptar sot, e sigurtë është se mund të kishim ca klikime më pak nëpër celularë, por shumë më tepër turistë sot dhe të ardhura në xhepat e shqiptarëve nesër!