Prodhimi “Made in Albania” po rritet çdo sezon në cilësi dhe sasi, ndërsa fermerët po kërkojnë të ngrenë fabrika përpunimi, për t’i dhënë produkteve të tyre një vlerë të shtuar. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi vizitoi sot një nga fermat në zonën e Fushë-Krujës, e cila është mbështetur nga fondet e Agjencisë së Zhvillimit Rural. “Në “Besa Agro Invest” shpk në Fushë-Krujë, pashë nga afër zhvillimin që kishte ndodhur nga koha e nisjes së kësaj sipërmarrje në 2014. Me 80 ha sipërfaqe në kultivimin e perimeve, zarzavateve dhe druve frutorë, synimet janë që të rritet më tej eksporti i këtyre prodhimeve bujqësore dhe përpunimin”, bëri të ditur ministrja Ekonomi.
Vetë përfaqësuesi i kësaj ferme shprehu ambicien e tij për ta çuar punën në një stad më të lartë, atë të përpunimit. “Një pjesë të madhe të prodhimit e eksportoj, pasi jam lidhur me eksportues pranë pikave të grumbullimit. Ambicia ime në të ardhmen është ngritja e një fabrike përpunimi”, theksoi ai.
Ai informoi se aktualisht ka 50 të punësuar dhe se në pikun e sezonit mund të punësojë deri në 70 punëtorë. Po ashtu, ai thekson se bën një kujdes të madh në përdorimin e pesticideve, duke u siguruar të marrë vetëm atë të regjistruara në tregjet europiane. Kontributi i bujqësisë dhe peshkimit në Prodhimin e Brendshëm Bruto llogaritet rreth 20 %. Megjithatë, bujqësia jep një kontribut me rreth 36 % të punësimit.
Shqipëria i takon brezit mesdhetar, gjë që e bën që të ketë një larmi të madhe potencialesh për prodhim të kulturave nga më të ndryshmet, kultura me cikël të shpejtë, por dhe kultura që më tepër i takojnë klimës kontinentale.