Ministria e arsimit ka reaguar pasi eksperti i Arsimit pranë PD, Ndriçim Mehmet ka denoncuar sot se testii gjuhës shqipe dhe letërsisë ka qarkulluar nëpër rrjete sociale dhe ka publikuar edhe foto të testit.
Në reagim thuhet se se ky rast, apo çdo rast tjetër i ngjashëm me të, që orkestrohet qëllimisht nga individë të ngarkuar politikisht do të çohen para drejtësisë.
“MASR do të kallëzojë penalisht shtetasin, i cili ka publikuar testin e Maturës Shtetërore të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë të datës 7.6.2021 në rrjetet sociale gjatë kohës kur provimi ishte ende duke u zhvilluar, si dhe të gjithë pjesëmarrësit në procesin e Maturës Shtetërore të cilët kanë shkelur rregullat duke fotografuar dhe dërguar jashtë qendrave të provimit këtë test, gjatë kohës që ishte duke u zhvilluar”.
Reagim i plotë: Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) me shumë shqetësim e ka ndjekur rastin e sotëm të publikimit të pyetjeve pas fillimit të provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë të Maturës Shtetërore 2021.
Vëmë në dijeni opinionin publik se ky rast, apo çdo rast tjetër i ngjashëm me të, që orkestrohet qëllimisht nga individë të ngarkuar politikisht do të çohen para drejtësisë në mënyrë që të mos cënohet procesi i Maturës Shtetërore. Ndjejmë keqardhje që ata gjejnë mënyrën më të pahijshme për të injektuar panik të panevojshëm tek maturantët dhe tek prindërit e tyre, ndërsa duhet të ishin bashkëpunues për të mirën e arsimit.
MASR do të kallëzojë penalisht shtetasin, i cili ka publikuar testin e Maturës Shtetërore të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë të datës 7.6.2021 në rrjetet sociale gjatë kohës kur provimi ishte ende duke u zhvilluar, si dhe të gjithë pjesëmarrësit në procesin e Maturës Shtetërore të cilët kanë shkelur rregullat duke fotografuar dhe dërguar jashtë qendrave të provimit këtë test, gjatë kohës që ishte duke u zhvilluar.
Publikimi i testit në rrjete sociale pasi provimi kishte filluar NUK ka ndikuar në mbarëvajtjen e këtij provimi, teksa vlen të nënvizohet se i gjithë procesi është zhvilluar në zbatim të Rregullores së Maturës Shtetërore.
MASR dhe institucionet e saj të varësisë sigurojnë maturantët dhe prindërit e tyre se provimet janë zhvilluar dhe do të zhvillohen me të njëjtin përkushtim e vullnet për të realizuar një administrim të suksesshëm të këtij procesi.