Kryetari i Autoritetit të Medias Audiovizive, Gentian Sala raportoi sot në Kuvend mbi veprimtarinë e AMA-s gjatë vitit 2020.
Sala u shpreh në fjalën e tij në seancën plenare se, “AMA iu përgjigj kërkesave të tregut për shqyrtimin dhe miratimin e licencave, autorizimeve, ndryshimeve të akteve nënligjore duke komunikuar dhe bashkëpunuar me institucionet publike dhe jo publike në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve të përbashkëta. Si dhe duke përmbushur detyrimin e raportimit në mënyrë periodike për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”.
“Plotësimi i kuadrit të akteve nënligjore gjatë vitit 2020 ishte në favor të konsolidimit institucional të AMA-s, për përballimin e sfidave të tregut audioviziv duke ecur paralelisht dhe me investimet dhe profesionalizmin dhe kompetencën e burimeve njerëzore të angazhuara dhe në përmirësim të infrastrukturës teknike për shqyrtimin përmbajtjeve të transmetuara bazuar mbi kërkesat e ligjit tonë organik 97/2013. Kjo e fundit ndikoi me impakt konkret, shumë pozitiv të AMA-s në procesin e monitorimit korrekt dhe me profesionalizëm të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit të këtij viti. Ku nuk pati asnjë ankesë apo kontestim për performancën e AMA-s dhe vendimmarrjeve që adresohen në KQZ”, tha Sala.
Në përgjigje të pyetjeve të deputetëve mbi monitorimin e fushatës zgjedhore, Sala theksoi se “si rrallëherë për fushatën zgjedhore institucioni jonë kishte një ngarkesë të shtuar pasi nuk ishte më Bordi i Monitorimit të Mediave si një institucion Ad-hoc midis AMA-s dhe KQZ-së, por ishte një raport direkt AMA-KQZ për monitorimin e fushatës. Si rrallë herë në ëkto 30 vite nuk kishte dy raporte që i shkonin KQZ-së, por ishte vetëm një raport me unanimitet në Bordin e AMA-s për paraqitjen në KQZ të monitorimeve. AMA në bazë të ligjit as lejon as ndalon, por vetëm monitoron dhe raporton. Pra nuk është AMA ajo që merr vendime për të ndaluar një apo tjetër subjekt. Lexon ligjin, përkthen aktet nënligjore, monitoron dhe i raporton KQZ-së. Për këtë çështje nuk ka pasur asnjë ankesë për AMA-n. Por edhe po të kishte, siç është ankesa në fjalë nuk mendoj se ka bazë ligjore që të mbështetet në punën e institucionit tonë”.