Ministria e Drejtësisë përfundoi procesin 1-vjeçar të punës për hartimin e paketës strategjike për fazën e dytë të zbatimit të reformës në drejtësi.

“Ministria e Drejtësisë, në rolin e Ministrisë përgjegjëse për hartimin dhe monitorimin e politikave strategjike në fushën e drejtësisë, ka përfunduar procesin 1-vjeçar të punës për hartimin e paketës strategjike për fazën e dytë të zbatimit të reformës në drejtësi”, u shpreh sot ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Gjonaj theksoi se, “draftstrategjia ndërsektoriale e Drejtësisë 2021-2025, synon të konsolidojë kuadrin ligjor dhe institucional të sistemit të drejtësisë, të përfshijë praktikat moderne evropiane në drejtësinë penale, të përmirësojë infrastrukturën e sistemit të drejtësisë, duke përfshirë këtu zgjidhjet inovative elektronike që mbështesin një rritje thelbësore të efikasitetit dhe transparencës në sektorin e drejtësisë”.

“Ministria e Drejtësisë ka shpallur për konsultim publik draft paketën strategjike 2021-2025 dhe duke vlerësuar rolin dhe kontributin e gjithsecilit në këtë proces, mirëpret komente dhe sugjerime, brenda datës 8 korrik 2021”, shtoi Gjonaj.